


Fier, 19 maj 2016, NOA.al – Dy zyrtarë të Hipotekës në Lushnje janë arrestuar në flagrancë nga blutë e Fierit nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Arrestimi i tyre erdhi në sajë të operacionit të koduar “Pronat” pas një hetimi dy mujor, ndërsa në pranga janë vënë, Bledar Koçiu, 36 vjeç, banues në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnje, me detyrë ish regjistrues i Z.V.R.P.P Lushnje dhe Arben Lushi, 51 vjeç, banues në Kolonje, Lushnje, pronar i pikës turistike në Ardenicë.
Gjithashtu për E.Rr., 32 vjeç, banues në Lushnje, me detyrë ish-hartograf pranë Z.V.R.P.P Lushnje, u dha masë sigurie “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit S.K, 52 vjeç, banues në Lushnje, me detyrë jurist pranë Z.V.R.P.P Lushnje.
Këta shtetas në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë dhënë në kundërshtim me ligjin një pronë shtetërore me sipërfaqe 6300 metër katror pyll shtetëror, në të cilën është ndërtuar pika turistike e Arben Lushit, duke e pajisur edhe me çertifikatë pronësie.
Gjykata e Shkallës së Parë Lushnje, dha masat e sigurisë arrest në burg për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Falsifikimi i dokumentave”./b.l/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





