
Tiranë, 18 maj 2016, NOA.al- Apeli i Gjykatës Administrative rrëzoi sot kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj për ndryshimin e trupit gjykues të çështjes së pallatit 17-katësh tek diga e Liqenit Artificial.
Kërkesa u shqyrtua nga Bari Shyti, Lindita Sinanaj, Artur Malaj dhe në të kërkohej përjashtimi i gjyqtarëve Arjan Qafa, Enkelejda Softa, Alkelina Gazidede, pasi sipas kërkesës së Bashkisë Tiranë, kishin konflikt interesi.
Sipas Bashkisë së Tiranës, leja e ndërtimit është dhënë në kundërshtim me moratoriumin për ndalimin e ndërtimeve, pasi qeveria e ka shpallur moratoriumin në datë 22.08.2014, ndërsa leja mban datën 14.10.2014. Me tej në arsyetimin e saj, në lidhje me shkeljet që ka kjo leje, Bashkia përcakton se ajo bie ndesh me vendimin e Komitetit Kombëtar të Digave, i cili përcakton rrezikshmërinë e ndërtimeve poshtë digës së Liqenit Artificial. Pika e tretë ku bashkia mbështetet për shkeljen e kësaj lejeje është fakti se leja është dhënë pa pasur një Plan të Detajuar Vendor.
Leja për ndërtimin e kompleksit të banimit, prej 5 strukturash, me lartësi deri në 17 kate dhe tre kate nëntokë, te diga e liqenit u dha në kohën kur kryetar bashkie ishte Lulzim Basha./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





