Transmetuar më 18-05-2016, 09:32

Tiranë, 18 maj 2016, NOA.al- Një operacion i policisë së kryeqytetit i koduar “Miks” ka vënë në pranga pesë persona të kapur me lëndë narkotike të llojit kokainë, heroinë dhe kanabis sativa në formë çokollate.

Efektivët e komisariatit nr.6 dhe forcat “Shqiponja” gjatë ditës së djeshme, vunë në pranga Enea Hoxha, 22 vjeç, banues në Tiranë; Eriseld Islami, 31 vjeç, banues në Fier, i dënuar më parë për vjedhje me dhunë; Ilir Shehaj, 47 vjeç, banues në Fier; Blandi Dorzi, 26 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale prodhim dhe shitje narkotikesh dhe vjedhje dhe Arben Hyka, 39 vjeç, banues në Tiranë i dënuar më parë për vjedhje.

Arrestimi i tyre u bë pasi dyshohen se ushtronin aktivitet kriminal të shpërndarjes në juridiksione të ndryshme në Tiranë duke tregtuar tek klientë të ndryshëm lëndë narkotike kokainë, heroinë dhe kanabis sativa. Lëndën narkotike e paketonin në formë çokollate.

Mësohet se Enea Hoxha, aktivitetin kriminal të shitjes së lëndëve narkotike të dyshuar kokainë, e ushtronte në zonën e “Brrylit”.

Ndalimi i tij u bë pasditen e së martës rreth orës 18.00, ku u bë neutralizmi i tij dhe nga kontrolli fizik i ushtruar, i është gjetur e mbështjellë në një qese transparente plasmasi një sasi e presuar ngjyrë e bardhë e dyshuar narkotike e llojit kokainë.

Ndërkohë Eriseld Islami dhe Ilir Shehaj merreshin me shitje të lëndëve narkotike të llojit kanabis sativa të presuar çokollatë.

Ata u ndaluan rreth orës 22:30 të mbrëmjes së djeshme në rrugën “Qemal Stafa”, ku është konstatuar automjeti tip “Renault”, i cili drejtohej nga Shehaj dhe me pasagjer Islamin i cili mbante në dorë një qese plasmani.

Brenda në qesen që mbante në dorë Islami janë gjetur dhjetë pako me lëndë të dyshuar kanabis sativa të presuar në formë çokollate, gjithashtu i është gjetur një mbështjellje me gazetë ku brenda saj kishte bimë të dyshuar kanabis sativa në formë bime dhe në formë çokollate.

Ndërkohë efektivët e komisariatit nr.6 Tiranë, rreth orës 13:30 të së martës, kanë konstatuar një automjet tip “Mercedes Benz”, me drejtues Arben Hykën dhe në vendin e pasagjerit ndodhej shtetasi Blandi Dorzi. Gjatë kontrollit të ushtruar mjetit në levën e marshit janë gjetur dy doza të mbështjella me qese brenda të cilave ka lëndë të dyshuar narkotike heroinë.

Në total nga ky operacion, u bë sekuestrimi i 1 kg e 70 gramë lëndë narkotike e kanabis sativa e presuar në formë çokollate, 101 gramë kokainë, 0.4 gramë heroinë, gjashtë aparate celularë të markave të ndryshme dhe dy automjete.

Në në ngarkim të tyre materialet i kaluan Prokurororisë së Tiranës për ndjekje të mëtejshme lidhur me veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd