


Në vijim të angazhimeve bilaterale, në fushën e mbrojtjes me SHBA-të, gjatë ditës së sotme u zhvilluan konsultimet bilaterale mes palëve.
Delegacioni shqiptar kryesohej nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e cila në fjalën e saj të hapjes, nënvizoi rëndësinë e partneritetit strategjik me SHBA-në në përgjithësi dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes në veçanti.
Më tej Kodheli përmendi rezultatet e arritura nga ky bashkëpunim në dy vitet e fundit. Në këtë kontekst, ajo u ndal tek angazhimet e përbashkëta si operacionet, edukimi, trajnimi dhe stërvitjet, modernizimi, transformimi, si dhe ndërtimin e kapaciteteve të mbrojtjes.
Kodheli u ndal edhe tek kompleksiteti i ambientit të sigurisë në zonën Euro-Atlantike, ku Aleanca është duke u përballur me rreziqe dhe kërcënime nga drejtimi lindor dhe jugor i saj. Në këtë kuadër, ajo u shpreh se Shqipëria ndihet krenare për kontributin domethënës që jep me trupa dhe personel në mbështetje të implementimit të Planit të Gatishmërisë për Veprim të NATO-s.
“Shqipëria mbetet e angazhuar për të vazhduar bashkëpunimin edhe në të ardhmen. Disa nga fushat e evidentuara nga ana jonë janë pjesëmarrja në operacionet e përbashkëta, zhvillimi i paketës së kapaciteteve të FA-së, rritja e mundësive për edukim dhe trajnim të personelit ushtarak dhe civil. Dhe së fundmi, lufta e përbashkët kundër terrorizmit”, tha Kodheli.
Nga ana e tij, zv. Asisenti i Sekretarit të Mbrojtjes për Rusinë, Ukrainën dhe Euroazinë, Michael Carpenter, falenderoi palën shqiptare për punën e përbashkët të shkëlqyer, si në kontekstin bilateral ashtu edhe në atë multilateral.
Gjithashtu, ai nënvizoi se bashkëpunimi SHBA-Shqipëri është një bashkëpunim mjaft i frytshëm dhe solid. Duke folur për Ballkanin Perëndimor, ai falënderoi Shqipërinë për rolin konstruktiv që ka luajtur dhe vazhdon të luaj në ruajtjen e paqes dhe sigurisë, në rajon dhe më gjerë. Në përfundim, Carpenter theksoi se SHBA-të mbeten të gatshme të mbështesin Shqipërinë nëpërmjet programeve të shumta në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





