Transmetuar më 16-05-2016, 16:48

Tiranë, 16 maj 2016, NOA.al – Bashkia e Tiranës ka fituar në Kolegjin Zgjedhor tre betejat ligjore me Partinë Demokratike për referendumet vendore të kërkuara nga koordinatori i kësaj force politike, Jamarbër Malltezi.

Pas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, edhe Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar sot kërkesat e PD-së për të mbajtur referendume vendore ku të pyeteshin qytetarët e Tiranës nëse duhet të ndërtoheshin: parkimi nëntokësor tek “Parku Rinia”, objektet social-kulturore dhe administrative në hyrjen e Parkut të Liqenit, si dhe këndi e lojërave po ashtu në Parkun e Liqenit.

Trupa e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit ka vlerësuar si të drejtë vendimin e KQZ-së dhe nuk marrë kështu parasysh pretendimet e përfaqësuesve të Partisë Demokratike, duke e vlerësuar si të rregullt procedurën e ndjekur nga Bashkia e Tiranës.

Vendimi i sotëm i Kolegjit për të rrëzuar 3 me 0 PD-në, shënon një humbje të thellë për këtë forcë politike, e cila i ka kthyer vendimmarrjet e Bashkisë së Tiranës për punët publike të qytetit në çështje të mirëfillta të betejës së vet politike.

Tashmë me këtë vendimmarrje i jepet fund edhe përpjekjeve për të bllokuar punët e Bashkisë, përfshi këtu edhe për ndërtimin e këndit të lojërave në Parkun e Liqenit, i cili në 1 qershor do jetë gati për fëmijët e Tiranës.

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd