Transmetuar më 16-05-2016, 16:36

SHBA, 16 maj 2016, NOA.al – Gjatë takimeve të tij në Kongresin Amerikan, Kryetari Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta u takua me Kongresmenin e Nju Jorkut John Katko, Kryetar i Nënkomisionit të Sigurisë së Transportit në Komisionin e Sigurisë Kombëtare.

Meta dhe Kongresmeni Katko biseduan mbi sfidat e sigurisë që po kalon bota, mbi rrezikun që vjen nga përhapja e terrorizmit ndërkombëtar dhe mbi masat që duhen ndërmarrë për forcimin e sigurisë së aeroporteve dhe pikave ndërkufitare.

Në këtë drejtim, Meta vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë që Shqipëria gëzon me aleatin e saj SHBA.

Nga ana e tij Katko e siguroi Kryetarin e Kuvendit Meta për angazhimin e tij në funksion të trajnimit të vazhdueshëm të punonjësve të sigurisë jo vetëm në Aeroportin “Nënë Tereza”, por edhe në aeroporte të tjera që priten të hapen në Shqipëri në të ardhmen.

Kongresmeni Katko u shpreh se “hapësira territoriale dhe siguria në Shqipëri, si një vend anëtar i NATO-s, ka të njëjtën rëndësi si në çdo vend tjetër të NATO-s”.

Me këtë qëllim, Kongresmeni Katko iu përgjigj ftesës së Kryetarit Meta për të vizituar Shqipërinë për të diskutuar mbi forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë./b.l/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd