Transmetuar më 16-05-2016, 14:24

Tiranë, 16 maj 2016, NOA.al- Deputeti demokrat Arben Ristani thotë se sot është dita e katërt e arratisjes së Klement Balilaj i akuzuar si një prej krerëve të trafikut ndërkombëtar të drogës, ndërkohë që siç tha ai, paturpësisht ministri i Brendshëm doli e foli për suksese.

Në një dalje nga selia blu, Ristani deklaroi se Tahiri ishte përjashtuar nga ky aksion ndërkombëtar, i organizuar nga policia greke, nga DEA amerikane dhe polici të vendeve të tjera të BE-së, për shkak të lidhjeje të drejtpërdrejta me atë që u quajt nga mediat dhe CNN si Eskobari i Ballkanit.

“Tahiri, Rama dhe krerët e tyre të policisë u bënë pjesë e këtij aksioni duke e dëmtuar atë, duke ndihmuar njeriun e tyre, Kelement Balilaj, ti shpëtojë kërkimit, duke e ndihmuar të arratiset. Qëndrimet kontradiktore të policisë, për hetimin e organizates kriminale tregojnë se ata janë kompromentuar për shkak të lidhjeve të Balilajve me drejtues të lartë politikë në vend, me Tahirin në veçanti”, u shpreh Ristani.

Ai shtoi se ndërkohë që policia greke ka nxjerrë urdhër ndalimi duke përmendur me emër dhe mbiemër, Klement Balilajn, i njohur me pseudonimin “Keli”, si një prej krerëve të trafikut ndërkombëtare të drogës, policia shqiptare nuk e di nëse ky person është apo jo nën hetim.

Ristani tha se ndonëse pjesa me e madhe e anëtarëve të organizatës janë arrestuar, Policia e Shtetit nuk ka bërë asnjë prej deklaratave zyrtare të saj,  ku mburret për gjoja suksese në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar, “siç vrapoi ta quante në fillim të publikimit të të dhënave”.

Sipas tij, e gjitha kjo ka vetëm një shpjegim, se autoritetet shqiptare janë përjashtuar nga hetimi pasi janë vërtetuar lidhjet e Balilajt me politikanë të lartë dhe është vërtetuar mbrojtja që i japin atij drejtuesit e policisë së shtetit në trafikun e drogës.

“Lidhja dhe mbrojtja që Klement Balilaj ka, quhet Saimir Tahiri. Është ky ministër, i njohur si mburojë e trafikantëve dhe e krimit prej tre vitesh, nga Viluni, te Habilajt, nga Durim Bami te Shullazi, nga Marku te Arben Frroku, e së fundmi tek eskobari Balili”, deklaroi Ristani.

Ai tha në vijim se lidhjet e Saimir Tahirit me bandat kriminale dhe organizatat e narkotrafikut janë tashmë të njohura edhe nga partneret europianë dhe amerikanë.

Në mbyllje të qëndrimit të tij, Ristani e cilësoi si emergjente largimin një orë e më parë nga detyra të ministrit Tahiri dhe një hetim të plotë dhe të gjithanshëm për lidhjet e tij kriminale./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd