Transmetuar më 16-05-2016, 12:47

Tiranë, 16 maj 2016, NOA.al- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, doli me deklaratë lidhur me pajisjen e përgjimit, që siç pretendon opozita me të po përgjohen, politikanë, ambasadorë dhe gazetarë, duke thënë se ka ndodhur një krim shtetëror.

Ai deklaroi sot nga selia blu, se ndërsa policia e ka pranuar se ka një pajisje të tillë, Edi Rama dhe Saimir Tahiri heshtin, se janë ata urdhëruesit e përdorimit të kësaj pajisje kriminale.

Kreu i opozitës tha se pajisja është futur në Shqipëri pa u regjistruar dhe pa marrë lejen e Prokurorisë, njëlloj siç tha ai, veprojnë organizatat kriminale dhe përgjegjësitë për të shkojnë drejtpërdrejtë te Kryeministri Rama.

“Prej ditës kur skandali është bërë publik, Edi Rama nuk ka thënë asnjë fjalë të vetme, duke e bërë edhe më të besueshme që ky krim i rëndë ka ndodhur. Përpjekjet e tij për ta larguar vëmendjen nga skandali, duke sjellë në skenë kriza të tjera si pazari i madh i check-up-it apo duke plasur tullumbace pas tullumbace, siç dërdëllitjet për inovacionin, janë një konfirmim më shumë se gjendemi përballë një mine të madhe paligjshmërie. Transparenca për ketë skandal politik dhe kriminal është një emergjencë politike, ligjore, morale dhe  shoqërore jo vetëm për Partinë Demokratike dhe opozitën, por për të gjithë spektrin politik, mediatik dhe shoqëror në vend”, u shpreh Basha.

Ai shtoi se qytetarët kanë nevojë të mësojnë një orë e më parë të vërtetën dhe se vendi nuk mund të  pajtohet për asnjë çast me uzurpimin mafioz të shtetit.

Kreu i opozitës bëri me dije se Partia Demokratike ka kërkuar në dëgjesë urgjente në Komisionin e Sigurisë me ministrin e Brendshëm, drejtorin e Policisë së Shtetit, kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Prokurorin e Përgjithshëm për të hedhur dritë mbi ngjarjen dhe për të nxjerrë përgjegjësitë shtetërore.

Basha deklaroi se mbi të gjitha përgjegjësitë qëndron ajo e Edi Ramës. Sipas kreut të PD, Edi Rama duhet dhe do të mbajë përgjegjësi për krijimin, në shpërdorim flagrant të detyrës dhe në shkelje kriminale të kushtetutës, jo thjesht të një shteti brenda shtetit, por  të një “shteti mafioz” mbi shtetin, që në fakt nënkupton asgjësimin e Republikës./a.y/noa.al

Pajisja e përgjimit, Manjani: Ka një hetim, besoj në rezultatet e Prokurorisë

Berisha: Rama ka përgjuar 375 persona, ja emrat

Pajisja e përgjimit e policisë është pa leje, luftë mes dy institucioneve

Tahiri i përgjigjet Nokës: Fronti i së keqes ka shkuar përtej opozitës

Noka: Tahiri pajisje përgjimi të paligjshme, përgjon rivalët e Ramës, opozitën dhe ambasadorë

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd