



Tiranë, 16 maj 2016, NOA.al- Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj thotë se në kopshte do të ofrohen kushte edhe për fëmijë me aftësi të veçanta.
Deklarata e tij u bë sot teksa inauguroi kopshti Nr. 39 në zonën e Shkollës së Bashkuar ka në Tiranë.
“Për herë të parë kemi një kopsht ku fëmijët me aftësi ndryshe ose me sindromën down apo autikë trajtohen nga njerëz të specializuar. Ne besojmë se të gjithë fëmijët janë të përsosur, është vetëm çështje mundësish dhe ndihme. Duke krijuar kushte dhe grupe të veçanta për fëmijët që kanë nevojë për më shumë kujdestari dhe asistencë, kemi sjellë një model të ri në qytetin e Tiranës”, tha Veliaj.
Ai shprehu vendosmërinë e tij për të mbajtur premtimin e dhënë për të rikonstruktuar të 23 kopshtet e Tiranës brenda këtij viti.
“Me investimin e një kopshti të mirë, e një lagjeje që ka infrastrukturë të mirë apo të një rruge kryesore, që është arterie kryesore e Tiranës, të gjitha shtëpitë dhe pallatet rrotull do të marrin një vlerë më të lartë në treg, falë investimit që çdo banor ka derdhur djersën e vet dhe kursimet e tij për familjen dhe shtëpinë”, tha kryebashkiaku.
Ndërhyrja në kopshtin nr. 39 konsiston në riparime të mureve dhe suvave, lyerje, shtrim parketi dhe pllakash, ndriçim, riparime dritaresh dhe dyersh, sistemime të jashtme, riparim i murit rrethues, si dhe vendosje këndi lojërash për fëmijët etj./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





