
Prokuroria dhe policia kanë filluar një luftë të ftohtë mes tyre. Protesta e Veliajt, dosja Balili, apo edhe pajisja e përgjimit janë bërë “mollë sherri” mes këtyre institucioneve.
Ditët e fundit, Prokuroria e Tiranës është vënë në kërkim të pajisjes së përgjimit, që dyshohet se e disponon pa leje, Policia e Shtetit. Burimet thonë se me nisjen e hetimeve për këtë fakt, prokuroria me ndihmën e shërbimit sekret, ka zbuluar se kjo pajisje ka ardhur në Shqipëri rreth 6 muaj më parë, ku një kompani italiane, ka kërkuar të demonstrojë pajisjen e shpikur prej tyre.
Mësohet se demonstrimi është bërë në prani të zyrtarëve të lartë të policisë në Akademinë e Rendit, ku më pas mendohet se Policia e Shtetit e ka blerë, me argumentimin se do të përdoret për trajnimin e oficerëve.
Por, zyrtarisht nga policia thonë se pajisja është e interforcës italiane në Shqipëri dhe shfrytëzohet për trajnime. Ndërkohë sipas prokurorisë, kjo pajisje dhe programet e saj të shpikur nga kompania italiane, nuk janë ligjëruar në shtetin fqinjë.
Edhe pse janë siguruar këto të dhëna, prokuroria thotë se ende nuk është sekuestruar kjo pajisje që mendohet se ndodhet në ambientet e Akademisë së Rendit. /f.g/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





