Transmetuar më 14-05-2016, 14:21

Tiranë, 14 maj 2016, NOA.al – Urdhri i Infermierit organizoi një aktivitet festiv me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë. Në hapje të tij, presidenti i UISH-së, z. Sabri Skënderi, i uroi të gjithë pjesëmarrësit për suksese në misionin e tyre humanitar në jetë të jetëve. Duke apeluar për ngritje të mëtejshme të kujdesit infermieror edhe në Shqipëri në nivelin e kohës dhe të kujdesit evropian.

“Gjithmonë neve na kërkohet llogari, diskutohemi, na lihen detyra, por shpesh nuk dëgjohemi, nuk promovohemi dhe është bërë modë në shoqërinë tonë, në Shqipëri ku edhe media, edhe shoqëria edhe politika përgjithësojnë gjithmonë shembullin e keq, të cilin ne nuk e përjashtojmë. Ne ndaj po punojmë dhe po luftojmë, që të ndjekim shembullin e mirë dhe ndaj vendosëm që këtë vit ta përkujtojmë ndryshe këtë ditë, duke promovuar shembullin pozitiv, për ta ngritur nivelin tonë drejt më të mirëve”, tha nga ana e tij, presidenti i UISH-së, Sabri Skënderi.

Sipas tij, profesioni i infermierit është shumë i rëndësishëm.

“E kemi thënë shpesh se jemi 70% e punonjësve të shëndetësisë, realizojmë 75% të kujdesit shëndetësor në Shqipëri, themi 75% sepse shpesh, sidomos në fshatrat e vendit kujdesi infermieror është bazë për kujdesin shëndetësor. Jemi ne doktori dhe infermieri i fshatit, ndonjëherë edhe mamia. Jemi ata që shpëtojmë jetë njerëzore, prandaj jemi të rëndësishëm. Jemi edhe shumicë, jemi mazhorancë. Prandaj ne kërkojmë sot që të vlerësohemi më shumë, të dëgjohemi më shumë, të jemi pjesë e politikëbërjes, për ato politika që janë të lidhura me shërbimin shëndetësor, që janë të lidhura dhe të varura direkt nga puna jonë, sepse jemi ne ata që do ta ndryshojmë shërbimin shëndetësor në Shqipëri”, ishte apeli që Skënderi u drejtoi më pas të ftuarve në event.

Ndërkaq, gjatë këtij aktiviteti u shpërndanë edhe disa çmime të veçanta. Konkretisht, u vlerësuan Qendra Shëndetësore Dajç e Shkodrës, Reanimacioni i QSUT-së dhe Shërbimi i Politraumës në Spitalin Ushtarak për shërbimin e ofruar ndaj pacientëve. Pasuar edhe nga akordimi i titullit “Infermieri i Vitit” për infermierin Adriatik Maska, si edhe “Mamia e Vitit” për maminë Vjollca Qatipi.

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd