
Korçë, 14 maj 2016, NOA.al – Gjatë një takimit me strukturat e Partisë Socialiste në Korçë, numri dy i qeverisë zv/Kryeministri Niko Peleshi ka dhënë reagimin e parë lidhur me videoskandalin e ish kreut të bashkisë Peshkopisë, që i kërkonte seks në këmbim të punës 20-vjeçares.
Peleshi e cilësoi skandalin një ngjarje jo të denjë për një kryebashkiak. Ai theksoi gjithashtu se Qeveria ndërmori veprimin e duhur me shkarkimin e Xhelilit nga posti i kreut të Bashkisë Peshkopi dhe tashmë është koha që partia të ristrukturohet.
“Morëm vendimin e duhur për shkarkimin e Xhelilit. Rasti i tij ishte diçka jo e denjë. Ne distancohemi me neveri ndaj kësaj ngjarje të shëmtuar. Ka ardhur koha që të nisë puna për ristruktirumin e partisë”, tha Peleshi.
Ndërkohë Shukri Xhelili, po hetohet për tri vepra penale, pas publikimit të videoskandalit, ku ai është filmuar me zë dhe figurë teksa i kërkonte favore seksuale një 20-vjeçareje, në këmbim të vendit të punës. Prokuroria lokale ka regjistruar procedimin penal me akuzat e marrëdhënie seksuale duke shpërdoruar detyrën e mbetur në tentativë, shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike.
56-vjeçari u shoqërua paraditen e djeshme në Policinë e Dibrës, ku u mbajt për disa orë dhe më pas është liruar. Me vendim të prokurorisë, Xhelili do të hetohet në gjendje të lirë, pasi rezulton se nuk mund të ndikojë në këtë procedim penal.
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





