
Drejtori i Transporteve të Sarandës, prej momentit që dha dorëheqjen paraditen e së enjtes, nuk dihet se ku është. Ai është shpallur në kërkim nga policia greke, me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës, pas bllokimit të një sasie prej gati 700 kg droge më 8 maj, në brigjet e Zakinthos.
Fillimisht u arrestuan dy skafistë shqiptarë, të kapur në flagrancë, e më pas policia greke identifikoi si drejtuesin e tyre zyrtarin shqiptar. Edhe pse nuk konfirmohet se ndaj Klement Balilit pala jonë të ketë një urdhër ndalimi, një kontroll në shtëpinë e tij provoi largimin në drejtim të paditur të 44-vjeçarit.
Mëngjesin e së premtes, efektivë të Komisariatit të Policisë në Sarandë, në bashkëpunim edhe me forcat e FNSH-së, të ardhura nga Tirana, kanë kryer kontroll në banesën e Klement Balilit, në fshatin Stjar, Bashkia Delvinë.
Burime konfidenciale thanë se fillimisht policia u ka kërkuar familjarëve nëse ndodhej në banesë Klement Balili, ndërkohë që ka vijuar më tej kontrolli i banesës. Burimet thanë që në banesë ndodhej vetëm bashkëshortja e Klement Balilit dhe dy fëmijët e tij.
Njëri prej vëllezërve të 44-vjeçarit tregoi dje se paraditen e së enjtes, i vëllai është larguar drejt Tiranës dhe që prej atëherë nuk kanë pasur më kontakte me të. Ndërkohë, edhe telefoni i Balilit gjatë ditës së djeshme rezultoi i fikur.
Nga ana e familjarëve të tij pyetjes se nëse drejtori i shkarkuar ishte larguar nga Shqipëria, iu përgjigjën se nuk kishin asnjë dijeni. Pas verifikimit në sistemin TIMS, nuk rezulton që ai të ketë lënë në rrugë zyrtare vendin. Që prej ditës së djeshme, në qytetin e Sarandës janë shtuar edhe dy furgonë me efektivë policie, shkruan panorama.
Pas shpalljes në kërkim të Klement Balilit nga ana e policisë greke, ai shkoi në zyrë për të formuluar dorëheqjen. Më vonë, nga Tirana u mësua se për drejtorin e Transporteve në Sarandë ishte firmosur shkarkimi, me qëllim që autoritetet të jenë të lira të kryejnë veprimet. Vetë Balili i ka mohuar akuzat që rëndojnë ndaj tij, si drejtuesi i grupit që kalonte drogën nga Shqipëria në vendet e tjera të Europës.
Sipas tij, dosja penale e tij është e pastër dhe në Greqi, aty ku është lëshuar urdhri i ndalimit, nuk ka qenë që në vitin 2009. Por largimi i tij në mënyrë të paditur ka ngritur të tjera mistere. Një ditë më parë, Policia dhe Prokuroria u përplasën mes tyre në lidhje me hetimin e këtij rasti.
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





