



Washington, 13 maj 2016, NOA.al- Kryeparlamentari Ilir Meta në vijim të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u prit sot në takim në Departamentin e Drejtësisë në Washington DC, nga Ndihmës Asistent Prokurori i Përgjithshëm i SHBA për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, Bruce Swartz.
Meta vlerësoi bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që SHBA japin për forcimin e kapaciteteve të institucioneve të zbatimit të ligjit në Shqipëri dhe i informoi për ecurinë e reformës në drejtësi, duke vënë në dukje se kjo reformë është në fazën e saj përfundimtare, atë të miratimit të saj.
Kreu i Kuvendit rikonfirmoi angazhimin e tij për miratimin sa më të shpejtë të paketës kushtetuese për reformimin e sistemit të drejtësisë në Kuvend dhe duke vlerësuar opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias, si dhe punën e paanshme dhe profesionale të misioneve EURALIUS dhe OPDAT.
Në këtë drejtim tha se, “Kjo reformë e thellë do të shërbejë për rritjen e profesionalizmit dhe integritetit të sistemit të drejtësisë, rritjen e besimit të publikut si dhe përmirësimit të klimës së biznesit në vend. Të monitorohet reforma në drejtësi dhe të jetë histori suksesi. Ne jemi të vendosur ta çojmë përpara këtë reformë edhe me plotësimin e akteve të tjera ligjore, si një domosdoshmëri për të luftuar me efikasitet korrupsionin, krimin e organizuar dhe për t’i dhënë fund kulturës së pandëshkueshmerisë në Shqipëri”.
Ndihmës Asistent Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, Bruce Swartz shprehu rëndësinë e veçantë që SHBA-të i kushtojnë miratimit të reformës në drejtësi dhe theksoi se Departamenti i Drejtësisë dhe misionet e asistencës OPDAT dhe ICITAP do të vazhdojnë të kontribuojnë dhe të mbështesin forcimin e agjencive të zbatimit të ligjit në Shqipëri. Swartz shprehu gjithashtu vlerësimin për bashkëpunimin e ngushtë mes Shqipërisë dhe SHBA-ve në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





