
Prokuroria për Krime të Rënda prej disa muajsh po heton Klemend Balilin, me dyshimin e përfshirjes në rrjetin e trafikut ndërkombëtar të drogës.
ABC News raporton se autoritet greke, që në mars të këtij viti i kanë kërkuar policisë shqiptare të verifikojnë disa numra telefoni dhe pseudonimin e një personi të njohur si “Keli”.
Kjo kërkesë e palës greke, është referuar nga policia pranë Prokurorisë për Krime të Rënda, të cilët kanë regjistruar edhe procedimin penal. Gjatë këtyre muajve prokuroria ka arritur të identifikojë numrat dhe përdoruesit e tyre si dhe personin me emrin “Keli” që rezultoi se ishte biznesmeni i njohur në zonën e jugut, Klemend Balili. Gjatë përgjimit të numrave që kishte në përdorim Klemend Balili, në bisedat me shtetas shqiptar nuk është arritur të interceptohet ndonjë bisedë implikuese në trafikun e drogës.
Ndërsa gjatë përgjimit të numrave greke që Balili kishte në përdorim apo komunikimet me shtetasit grek, burimet thonë se këto biseda ende nuk janë zbardhur të përkthyera, për të parë ndonjë bisedë komprementuese të tij.
Për këtë fakt, mësohet se policia dhe prokuroria shqiptare i kanë kërkuar autoriteteve greke, të dhëna apo prova material shtesë që implikojnë Balilin në trafikun e drogës, për të lëshuar urdhër-arrestin ndaj tij në Shqipëri. Në mesin e personave të përgjuar nga prokuroria shqiptare janë edhe dy të arrestuarit në Greqi me cilësinë e skafistëve Petro Dalanaj dhe Kleanth Palaj. Të dy këta persona janë pikasur që komunikonin edhe me Klemend Balilin, por në shumicën e rasteve bisedat janë të shkurtra ku përcaktohet vetëm vendi i takimit mes tyre. /noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





