Transmetuar më 12-05-2016, 20:18

Korrupsioni është armik i paqes globale, shprehet Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry. Shefi i diplomacisë amerikane i bëri komentet sot në një takim të nivelit të lartë në Londër, të organizuar me nismë të kryeministrit britanik David Cameron për të diskutuar rrugët për të luftuar korrupsionin dhe evazionin fiskal:

Sekretari i Shtetit John Kerry tha se korrupsioni në botë nuk është thjesht një problem ekonomik, por edhe një kërcënim për paqen, ashtu si grupet ekstremiste.

“Është fakt se korrupsioni është po aq kërcënues, pasi shkatërron shtetet, ashtu si edhe ekstremistët me të cilët luftojmë, ose sfidat e tjera me të cilat ballafaqohemi. Ka njerëz që mund të thonë këto deklarata janë ekzagjerime. Por korrupsioni zhbën fibrat lidhëse të shoqërisë”, deklaroi shefi i diplomacisë amerikane.

Pikërisht zhgënjimi me punën e qeverive dhe udhëheqësve të korruptuar po ushqen radhët e grupeve ekstremiste, tha Kerry.

“Ekstremizmi që shohim sot në botë, në një masë jo të vogël është pasqyrim i mungesës së shpresës që ndjejnë njerëzit nga sisteme të manipuluara. Ky revoltim dëshmohet gjatë zgjedhjeve në mbarë botën, përfshirë vendin tonë. Njerëzit janë të zemëruar dhe ky zemërim do të shtohet, nëse nuk i mbyllim portën korrupsionit për t’u treguar njerëzve se ka drejtësi në sistem”, tha Kerry./noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd