
Tiranë, 12 maj 2016, NOA.al – Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nëpërmjet një deklarate të shpërndarë për mediat, deklaron se dënon ashpër çdolloj forme presioni ndaj gjykatës. Duke iu referuar protestës së djeshme para Gjykatës Administrative të Apelit, të thirrur nga Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, KLD shprehet se këto akte dhe veprimet të pamenduara sjellin destabilizim për sistemin gjyqësor.
“Këshilli i Lartë i Drejtësisë, dënon çdo formë presioni që Kryetari i Bashkisë Tiranë dhe një grup politikanësh, ushtruan dje, më datë 11 maj 2016, ndaj Gjykatës së Apelit Administrativ, lidhur me një çështje gjyqësore, e cila është ende në gjykim. Për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, këto akte dhe veprime të pamenduara si duhet, sjellin destabilizim të parikuperueshëm për sistemin gjyqësor, pasi çdo palë ndërgjyqëse në një proces do t’i perceptojë si të drejtë të tij, kundërshtimin me protesta dhe presione politike vendimet që jepen nga gjykatat, në emër të Republikës së Shqipërisë. Veprimet e kryera ishin një presion i hapur ndaj gjyqtarëve dhe një kërcënim i pavarësisë së gjykatave”, thuhet në deklaratë.
Më tej KLD e konsideron një presion të hapur ndaj gjyqtarëve këtë protestë me qëllim ndërhyrjen e drejtpërdrejtë në veprimtarinë e pushtetit gjyqësor.
“Kryetari i Bashkisë Tiranë dhe eksponentë të tjerë politik, përdorën terma poshtërues për gjykatat dhe gjyqtarët që prej vitesh japin drejtësi, duke pasur si qëllim, ndërhyrjen e drejtpërdrejte në veprimtarinë e pushtetit gjyqësor, ç’ka mund të sjell veçse demotivim dhe nënshtrim të sistemit të drejtësisë. Pengimi përmes protestave, i funksionimit normal të veprimtarisë së Gjykatës Administrative të Apelit për disa orë, ndikon negativisht, në mënyrë të padrejtë, në imazhin e gjykatës dhe ul besimin e publikut në sistemin e drejtësisë. Në një shtet demokratik, çdo drejtues institucioni dhe eksponent politik, nuk do ta çonte nëpërmend, të organizohej në atë mënyrë për të cënuar apo kërcënuar gjyqtarët në përmbushjen e detyrave të tyre Kushtetuese. Etiketimi i gjyqtareve si “të duhur” apo “të paduhur” gjatë ushtrimit te detyrës nga palët ndergjygjëse është i papranueshëm dhe i patolerueshëm”.
Në fund të deklaratës Këshilli i Lartë i Drejtësisë, kërkon nga trupa gjyqësore të vijojë veprimtarinë e saj, duke garantuar funksionimin e shtetit të së drejtës, sigurisht, nëpërmjet rolit të pazëvendësueshëm dhe unik të sistemit gjyqësor, duke patur në fokus të punës, respektimin e procesit të drejtë gjyqësor, duke tentuar rritjen dhe cilësinë e veprimtarisë së saj gjyqësore, si dhe duke garantuar transparencë dhe përgjegjshmëri maksimale në përmbushjen e detyrave./b.l/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





