
Prokuroria e Kavajës ka urdhëruar ndalimin e dy zyrtarëve të lartë të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), të dyshuar për konsumimin e elementëve të veprës penale “Shpërdorim detyre”.
Prokuroria urdhëroi ndalimin e Drejtorit Rajonal të ARRSH-Tiranë, Bib Gjomakaj, si edhe Drejtorit të Drejtorisë Juridike të ARRSH, Dritan Fejzo, në vijim të hetimeve të nisura kryesish pas një aksidenti të ndodhur pasditen e së dielës në aksin rrugor Qerret-Plepa, në Kavajë.
Në këtë aksident rrugor humbën jetën dy fëmijë, të cilët ishin në një automjet të drejtuar nga nëna e tyre. Urdhëri i Prokurorisë së Kavajës është zbatuar pasditen e së enjtes (dt. 12.05.2016). Nga veprimet e deritanishme hetimore, Prokuroria e Kavajës dyshon se pasojat e aksidentit rrugor do të ishin më të vogla, nëse siguria rrugore e aksit ku ka ndodhur ngjarja do të ishte më e lartë.
Në bazë të dokumentacionit të administruar deri në këtë fazë të hetimit, rezulton se:
Aksidenti ka ndodhur ne rrethanat e humbjes së vëmendjes së drejtueses së automjetit, duke kaluar më pas në hapësirën mes guardarelave (mbrojtësit anësor të karaxhatës) dhe më pas është përplasur me fillimin e guardrelës, e cila vazhdon përgjatë aksit rrugor.
Nga akti ekspertimit autoteknik, ndër të tjera, konkludohet se, lëvizja e automjetit të aksidentuar do të ishte në rrethana të tjera, nëse hapësira e ndërprerë e guardrelave do të ekzistonte e përfunduar, pra e plotësuar, duke bërë që forca goditëse e automjetit të amortizohej.
Në vijim të hetimeve, nga ana e Prokurorisë së Kavajës është marrë praktika e ndërtimit të rrugës, për të përcaktuar arsyen se përse rruga ishte e ndërprerë në mënyrë të tillë. Nga praktika dokumentare rezulton se hapësira ndërmjet guardarelave është pranë një pike karburanti. Kjo e fundit, gjatë ndërtimit të rrugës në vitin 2011, ka aplikuar disa herë tek Autoriteti Rrugor për t’i krijuar hapësirë që mjetet të hynin e dilnin nga rruga kryesore në pikën e furnizimit të karburantit.
Kjo kërkesë nuk është miratuar dhe administrator i kompanisë që administronte pikën e karburantit ka paraqitur një padi në Gjykatën Administrative, e cila fillimisht kishte vendosur edhe masën e sigurimit të padisë, në bazë të të cilës autoriteti rrugor duhet të lejonte hapësirën e kërkuar nga shoqëria private deri në përfundim të procesit gjyqësor.
Më pas, gjykata Administrative e Shkallës së Parë, i ka dhënë të drejtë padisë së pikës së karburantit në përfundim të procesit të gjykimit në themel. ARRSH e ka ankimuar këtë vendim në Gjykatën e Apelit Administrativ, e cila ka pushuar padinë e kompanisë, duke rrëzuar njëkohësisht edhe vendimin e shkallës së parë. Në bazë të këtij vendimi, Autoriteti Rrugor Shqiptar duhet të vijonte procedurat për mbylljen e hapësirës ndërmjet guardarelave, si edhe për të marrë masat për sigurinë rrugore në atë pjesë të rrugës, e cila ishte objekt shqyrtimi gjyqësor.
Vendimi i Gjykatës së Apelit Administrativ është marrë në vitin 2014 dhe deri në ditën e aksidentit tragjik të datës 08.05.2016, nuk janë marrë masat përkatëse si për plotësimin e hapësirës ndërmjet guardarelave, ashtu edhe për rritjen e sigurisë rrugore në këtë pjesë të aksit rrugor.
Për Prokurorinë e Kavajës, përgjegjës për mungesën e masave kanë drejtori juridik i ARRSH-së, Fejzo, si edhe Drejtori Rajonal i ARRSH-Tiranë, Gjomakaj. Në bazë të veprimeve hetimore, rezulton se drejtori Juridik nuk ka marrë masat për të vënë në zbatim vendimin e Gjykatës së Apelit Administrativ. Ndërsa Drejtori Rajonal Tiranë nuk ka marrë masat për vendosur sinjalistikën dhe rritjen e cilësisë rrugore në vendin e ngjarjes së rëndë.
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





