
Tiranë, 12 maj 2016, NOA.al- Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, deklaroi në seancën e sotme parlamentare, se nga foltorja e Kuvendit nuk ndalon llumi i baltës që hidhet ndaj kujtdo.
Duke reaguar ndaj ish- Kryeministrit Sali Berisha ai tha se nuk e di në ç’mënyrë mund të cilësohen shqiptarët kaq të pazotë, për të mbuluar të vërtetat e thjeshta.
Ministri u shpreh se ka ardhur dita të mbulohen ata që u kanë blerë vilat, makinat, pushimet etj.
“Por ç’kuptim ka që në këtë Parlament të vijnë e të dalin lloj-lloj njerëzish edhe ata që kanë mbajtur detyrat më të larta shtetërore dhe të drejtojnë gishtin e akuzës dhe përbaltjes pa asnjë lloj kufiri ndaj kujtdo.Ka institucione në vend. Është Prokuroria. Shkoni. Denonconi. Dhe kërkojini këtij institucioni të vërtetën. Ka instrumente kjo opozitë në Parlament: janë komisionet hetimore, seancat dëgjimore. Shfrytëzojini për të marrë të vërtetën që kërkoni. Përbaltje pa fund edhe atëherë kur Policia ka rezultat. E unë nuk e di ç’e keni këtë zakon që sa herë goditet krimi, ju aq më shumë shtoni baltën ndaj Policisë së Shtetit”, u shpreh Tahiri.
Ai shtoi se në qoftë se Partia Demokratike do të kishte kaq vullnet për të luftuar trafikun e lëndëve narkotike, nuk do e kishte lënë Lazratin të rritej nën hundën e tyre, duke nënvizuar se llumi i akuzave duhet të marrë fund.
Sipas tij policia po shënon histori suksesi, duke luftuar korrupsionin dhe krimin të organizuar, prandaj tha ministri, nuk i’u pëlqen asnjë lloj suksesi i Policisë së Shtetit.
Ai deklaroi se guri i provës është reforma në drejtësi.
“Është marrë parasysh çdo sugjerim që keni bërë. Hajdeni ta votojmë, por lërini pretekstet. Lërini pretekstet. Një herë dekriminalizimi, një herë mandati i atij deputeti, një herë lejet e pallateve, një herë dekusarizimi, të gjitha pretekste për të mos votuar reformën në drejtësi. Nëse nuk doni ta votoni reformën në drejtësi, thojeni hapur të paktën sepse është më e ndershme ndaj qytetarëve. Por këtu dy alternativa ka. O parlamenti o reformën në drejtësi”, deklaroi Tahiri. Sipas tij, një nga të dyja duhet domosdoshmërisht t’i nënshtrohet gjykimit të shqiptarëve.
Ai nënvizoi se Parlamenti nuk ka asnjë lloj legjitimiteti nëse nuk miratohet reforma në drejtësi, duke shtuar se reformën e duan 99.99% e shqiptarëve përveç atyre që kanë frikë prej saj.
Tahiri kërkoi nga opozita që t’i japë fund akuzave dhe diskutimeve të kota por të votojnë reformën në drejtësi, duke thënë se të tjerat janë histori që nuk ndihmojnë kërkënd.
“Policinë e Shtetit po e sulmojnë sa herë shënon sukses dhe kjo do të thotë ti dalësh në krahë botës së krimit. Gjeni forcën dilini në krah Policisë së Shtetit, hajde bëhemi bashkë votojmë reformën, ky është interesi i shqiptarëve, të dalim mbi interesat e ngushta dhe të votojmë Policinë e Shtetit, ndajeni mendjen ose reformën ose ky Parlament”, deklaroi ministri i Brendshëm./a.y/noa.al Berisha: Rojet e Shullazit rrahën qytetarin, policia i liroi
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





