Transmetuar më 12-05-2016, 11:59

Tiranë, 12 maj 2016, NOA.al- Kryeministri Edi Rama, doli sot në foltoren e Kuvendit duke thënë se hedh poshtë zërat se në Shqipëri ka korsi preferenciale për investimet kineze dhe po largohen kompanitë amerikane.

Ai e cilësoi si absurditet të plotë diçka të tillë, duke thënë se të gjitha kompanitë janë të lira dhe qeveria nuk ka asnjë të drejtë të përcaktojë vullnetin e kompanive për të shitur dhe blerë aksione mes vetes.

“Të dyja investimet kineze që mendohet se do bëhen në Shqipëri përmes Bankersit dhe aeroportit të Rinasit, janë marrëveshje të drejtpërdrejta me aksionerët në Kanada për Bankers dhe me aksionerët gjermanë për Rinasin, qeveria shqiptare nuk hyn fare në këtë mes”, u shpreh Rama.

Ai sqaroi se janë marrëveshje të drejtpërdrejta dhe janë vetë aksionerët kanadezë apo amerikanë te Bankers që kanë ekskluzivitetin të vendosin se çfarë bëjnë me aksionet e tyre.

Sipas tij, fakti që aksionet shiten dhe kanë një vlerë të konsiderueshme provojnë të kundërtën e asaj që u pretendua se qeveria shqiptare rrënoi vlerën e tyre.

Ndërkohë që qeveria shqiptare për herë të parë tha Rama, bëri detyrën në raport me Bankers, i cili nuk kishte dhe nuk mund të ketë asnjë eksluzivitet në marrëdhënie me taksat, por se duhet të paguajë taksat njëlloj si çdo kompani tjetër dhe se qeveria shqiptare e fitoi çështjen në gjykatën ndërkombëtare./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd