Transmetuar më 11-05-2016, 07:43

Policia e Durrësit ka zgjeruar pistat e hetimit për vrasjen dy ditë më parë në zonën e plazhit të biznesmenit 39-vjeçar, Shpëtim Shala.

Larja e hesapeve mes bandave të drogës, por edhe një borxh i pakthyer prej 10 mijë eurosh janë pista që po hetohen. Burime nga grupi i hetimit bëjnë të ditur se ka dyshime se viktima Shala mund të ketë pasur mosmarrëveshje me persona të tjerë, të implikuar në rrjetin e trafikut të drogës në Holandë.

Nga të dhënat e grumbulluara deri më tani për biznesmenin e vrarë, rezulton se ai rreth katër vite më parë ka qenë për një periudhë kohe (rreth shtatë muaj) në Holandë. Pas kthimit, ai ka vazhduar aktivitetin në biznes, por ka dyshime të forta në lidhje me implikimin e tij në rrjetet e trafikut të Holandës, shkruan ‘Panorama’.

Sipas Policisë, hetimi është ndërlikuar pasi, veç sherrit për prekjen e mjeteve rreth tri ditë më parë me një person, Shpëtim Shala rezulton se është konfliktuar fizikisht edhe me një shtetas tjetër pak ditë para ngjarjes, i cili, sipas të dhënave, pretendonte se 39-vjeçari i kishte një shumë prej 10 mijë eurosh borxh.

Këto para ai ka pretenduar se 39-vjeçari ia ka marrë në një prej vendeve të Europës. Kohët e fundit ai frekuentonte edhe lojërat e fatit, ku policia dyshon se mund të jetë futur në borxh. Edhe kjo pistë po ndiqet nga ekspertët e policisë, të cilët po punojnë për dokumentimin e ngjarjes.

Mësohet se hetimet janë shtrirë në disa pista, ndërsa vëmendjen kryesore agjentët e krimeve e kanë përqendruar pikërisht te dy pistat e reja. Zyrtarisht, Policia e Durrësit sqaron se hetimet janë përqendruar në disa drejtime, ndërsa janë shoqëruar mbi 30 persona në komisariat, mes tyre familjarë, të afërm, dëshmitarë dhe persona me të cilët dyshohet të ketë pasur konflikte Shpëtim Shala.

Mes të shoqëruarve janë dy shtetas të përfshirë në konflikt me Shalën para ngjarjes, si ai që pati debat për makinën, ashtu edhe personi që dyshohet se viktima i kishte shumën e mësipërme të parave borxh.

Por deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nuk është gjetur asnjë provë implikuese për ta dhe pasi janë marrë në pyetje, janë lënë të lirë për t’i hetuar. 39-vjeçari Shala është gjetur i vrarë me armë zjarri brenda në automjetin e tij tip “Volkswagen 5”, me targa AA 086 HJ, në sektorin “Iliria”, Durrës, ndërsa për nga mënyra e ekzekutimit, policia dyshon se krimi është kryer nga vrasës profesionistë. Burime nga grupi hetimor, i cili rindërtoi skenën e krimit, thanë për gazetën se dyshohet që autori ka vepruar i vetëm në vendin e ngjarjes.

Nga hetimet e deritanishme dhe këqyrja e kamerave të sigurisë së disa subjekteve përreth, bëhet fjalë për një person me kapele, i cili ka qëlluar me armën “Scorpions” me silenciator. Por ai ende nuk është identifikuar nga ana e policisë, pasi kapela i ka fshehur mjaft tipare të fytyrës dhe pozicionet e kamerave kanë qenë të tilla sa nuk fokusojnë dot qartazi fytyrën e tij për shkak të kapelës që i ka shërbyer në këtë rast si maskë.

Nga kamerat duket personi që i është afruar 39-vjeçarit në një distancë rreth një metër nga dritarja e makinës dhe ka qëlluar me 15 plumba mbi Shalën, gjashtë prej të cilëve në kokë, duke e lënë të vdekur në vend. Autori dyshohet se i ka zënë pritë dhe e ka mbajtur nën vëzhgim viktimën, që kishte hipur në automjet pak çaste pasi ishte ndarë me shokët e tij, me të cilët kishte luajtur futboll në bregdet, para se të vritej.

Durrës, biznesmeni gjendet i vrarë brenda makinës së tij në Plazh

Vrasja e biznesmenit në Durrës, pistat ku po heton policia

Biznesmeni i vrarë në Durrës me precedentë, shoqërohen 26 persona

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd