
Në Francë po shtohet pasiguria për zhvillimin e Kampionatit Europian të Futbollit, për shkak të dyshimeve për akte terroriste të mundshme. Dyshimet përforcohen sidomos pas krimeve të terrorit që ndodhën vitin e kaluar në Paris dhe Bruksel.
Autoritetet franceze megjithatë, po tentojnë të largojnë frikën nga terrorizmi dhe kanë vendosur që të aktivizojnë zona tifozësh në Paris dhe nëntë qytete të tjera ku do të zhvillohen ndeshjet e Euro 2016.
Kështu në Paris është parashikuar që të ngrihet një zonë e posaçme për ndjekjen e ndeshjeve për një muaj, pranë kullës Eifel. Ajo do të mbushet me ekranë gjigandë për shikimin e ndeshjeve në shoqërinë e konsumit të pijeve dhe ushqimeve.
Kapaciteti do të jetë të paktën 100 mijë njerëz.
Funksionari i lartë policor francez, Federik Pesenar, ish drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit deri më 2012, shprehet skeptik dhe e konsideron të papranueshme këtë nismë.
“Është çmenduri që të bësh diçka të tillë. Ky plan duhet të rrëzohet. Nuk duhet të realizohet. Është çmenduri të futësh 100 mijë njerëz poshtë kullës Eifel çdo mbrëmje për një muaj pa iu druajtur rrezikut serioz”, – thotë funksionari policor.
Nga qeveria pati reagim të shpejtë. Ministri i Sporteve të Francës, Patrik Kaner, thotë se nuk ka vend për panik. “Zonat e tifozëve do të jenë krejtësisht të sigurta. Do të jenë më të sigurtë atje se në ndonjë kafene”, – theksoi ai.
Autoritetet thonë se do të ketë masa të forta sigurie. Veç qindra policëve dhe agjentëve të sigurisë do të vendosen gardhe metalikë për të sistemuar turmat, kamera vëzhgimi dhe qen nuhatës të lëndëve eksplozive, raporton noa.al duke cituar informacionin e publikuar sot nga londinezja “The Telegraph”.
Ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve, këmbëngul se do të ketë siguri maksimale.
Të gjitha zonat e tifozëve do të jenë nën mbikëqyrje të plotë për lëndë të mundshme eksplozive. Dedektorët e metalit do të jenë të pranishëm për të kontrolluar çdo individ që hyn brenda këtyre zonave. Videombikëqyrja do të realizohet nga një fond prej 2 milionë eurosh i akorduar nga qeveria enkas për sigurinë në zonat e tifozëve”, – tha ministri Cazeneuve.
Ai shtoi se javët e fundit janë punësuar rreth 10,000 persona enkas për sigurinë. Ata po trajnohen për sigurinë e njerëzve gjatë ndeshjeve në stadiume dhe zonat e tifozëve. /a.b/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





