


Pronari grek i 26-vjeçarit shqiptar të therur në në Igumenicë, ka rënë në pranga të policisë helene. Ai shihet si i dyshuar për vrasje në bashkëpunim të emigrantit nga Korça.
Për vrasjen e Bledar Terpollarit është i dyshuar edhe djali i tij.
Policia greke deklaroi se ka gjetur dy kallashnikovë dhe 9 karikatorë me 180 fishekë në banesën e dy të arrestuarve. Ata janë të dyshuarit kryesorë për vrasjen e djaloshit nga Shqipëria që u gjet i vrarë dhe pa kokë në stallën e bagëtive të fermerit grek që e kishte punësuar.
Më herët dje, fermeri 43-vjeçar grek i tha policisë se e kishte punësuar dy muaj më parë të riun shqiptar si çoban.
Ai deklaroi se natën duke gdhirë dita e hënë dhe sot herët në mëngjes, ishte përpjekur të lidhej me punëtorin e tij, por s’u bë e mundur. Atëherë, vijoi dëshminë e tij fermeri grek, në orën 05.30 ka hyrë në stallë që të nxjerrë bagëtitë për kullotë. Befas ka parë skenën e frikshme, trupin e çobanit të tij, pa kokë.
Autoritetet greke, sot rreth mesditës kanë përfunduar ekspertizën mjeko-ligjore të 26-vjeçarit shqiptar. Bledar Terpollari fillimisht ishte qëlluar me armë zjarri, gjë që i solli vdekjen.
Në mushkëri të riut iu gjet një plumb. Më pas i kanë prerë kokën në mënyrë makabre. Sipas hetuesve, prerja e kokës është bërë që vrasësi të fshihte gjurmët.
Gjithashtu autori i këtij krimi makabër ka pastruar vendin e krimit, madje edhe shenjat e gjakut të kokës që ka marrë me vete, për të mos u zbuluar. Të vetmen shpresë që kanë autoritetet greke në zbardhjen e këtij krimi është telefoni i viktimës, i cili është çuar në laborator për ekspertizë. /f.g/noa.al/
Burimi: epiruspost.gr
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





