
Tiranë, 10 maj 2016, NOA.al – Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili në një prononcim për mediat pas mbledhjes që grupi parlamentar të LSI që zhvilloi me ambasadorin e SHBA, Donald Lu dhe ambasadoren e BE në vendin tonë, Romana Vlahutin e vlerësoi si mjaft pozitiv komunikimin e ambasadorëve sa i përket reformës në drejtësi.
Më tej në fjalën e tij Vasili shtoi se në LSI nga sot janë më të qartë për faktin se reforma duhet të përmbyllet sa më parë.
“Jemi në rrugën e duhur, kemi asistencën e duhur nga pikëpamja profesionale dhe paanshmërinë e plotë nga ana politike. Kemi të gjithë përbërësit e duhur politikë dhe juridikë për të ecur përpara në këtë reformë të shumëpritur. Sigurisht, sot ishte një mundësi për një komunikim të drejtpërdrejtë me të dy ambasadorët e dy aleatëve tanë, partnerëve tanë strategjikë të pazëvendësueshëm sot dhe për një kohë shumë të gjatë, që janë Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E vlerësoj pozitivisht këtë komunikim, pasi ambasadorët kanë komunikuar dhe komunikojnë me krerët e partive, por është më së miri ky komunikim i drejtpërdrejtë me të gjithë deputetët, të cilët do të jenë dhe votues të kësaj reforme që lidhet me integrimin evropian”, u shpreh Vasili.
Më tej ai shtoi se, "Kështu që mendoj që nga sot jemi shumë të qartë, partnerët tanë, por edhe ne, që reforma duhet të përmbyllet. Nuk besoj se ka asnjë moment të saj të pakapërcyeshëm dhe asistenca edhe e përhershme tashmë sistematike e dy misioneve që përfaqësojnë të dy partnerët tanë strategjikë. Dhe së bashku me partnerët tanë, besoj se në këtë moment të rëndësishëm, por edhe të vështirë, i kemi të gjitha mundësitë më së fundmi jo vetëm ta kalojmë, por edhe sesioni parlamentar që është në zhvillim, të përfundojë besoj me një rezultat më të rëndësishmin e tij, duke pasur draftin ndryshimeve për t’i hapur pastaj rrugën mjaft të rëndësishme, por jo më pak të lehtë, të hartimit të ligjeve përkatëse në zbatim të tyre".
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





