
Tiranë, 10 maj 2016, NOA.al – Presion politik ndaj punonjësve të saj i ka vlerësuar Policia e Shtetit akuzat e vazhdueshme të Partisë Demokratike ndaj zyrtarëve të veshur me uniformën blu.
Pas shumë deklaratave të pavërteta, shpifjeve dhe akuzave politike në një reagim të sajin Policia e Shtetit, sqaron opinionin publik se kjo situatë konsiderohet tërësisht e tepërt, e padrejtë dhe shprehet se çdo subjekt politik që pretendon se ka fakte komprometuese ndaj punonjësve të veçantë të policisë, është i ftuar t’i depozitojë pranë SHÇBA, Prokurorisë dhe organeve të tjera ligjzbatuese.
Reagimi i Policisë së Shtetit
Policia e Shtetit ka arritur rezultate të konsiderueshme në përballje me krimin. Këto rezultate janë falë punës dhe sakrificës së punonjësve të Policisë përballë krimit. Policia sot lufton me krimin, me korrupsionin, me paligjshmërinë e çdo natyre, duke sakrifikuar për shkak të mungesës së infrastrukturës, buxhetit të duhur dhe kushteve për të hetuar siç duhet. Policia e Shtetit përpiqet t’i shërbejë qytetarëve, besimi i të cilëve na jep më shumë forcë për t’u përballur me krimin.
Vështirësitë janë të panumërta, nga kriminelët e rrugës tek ata që deri dje e quanin veten të paprekshëm. Por çdo sulm politik, çdo përbaltje e shpifje, është një goditje më shumë për Policinë e Shtetit e një mbështetje më shumë për ata që shkelin ligjin. Përveç sakrificave të punës së përditshme, përbaltja konstante, sulmet politike, janë tërësisht të papranueshme e të pamerituara, për çdo punonjës policie që sakrifikon përballë krimit.
Përmendja e emrave të punonjësve të policisë, thjesht e vetëm për akuza politike, është veprim i papranueshëm për shtetin e të drejtës dhe luftën kundër krimit. Sulmet ndaj policisë janë përkrahja më e mirë ndaj krimit. Ndaj ndalni menjëherë sulmin politik ndaj policisë. Ndalni menjëherë përbaltjen politike të përditshme ndaj Policisë. Çdo subjekt politik që pretendon se ka fakte kompromentuese ndaj punonjësve të veçantë të policisë, është i ftuar t’i depozitojë pranë SHÇBA, Prokurorisë dhe organeve të tjera ligjzbatuese. Në të kundërt, ndalni sulmin e përbaltjen politike ndaj Policisë./b.l/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





