Transmetuar më 10-05-2016, 15:40

Kroaci, 10 maj 2016, NOA.al – Presidenti i Republikës Bujar Nishani, në kuadrin e vizitës zyrtare dyditore në Republikën e Kroacisë u takua sot edhe me Kryeministrin kroat Tihomir Oreskovic, me të cilin bisedoi mbi mundësitë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve, si në nivel dypalësh, ashtu edhe në nivel rajonal e ndërkombëtar.

Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Kroacisë gjatë procesit të integrimit evropian, si dhe besimin se kjo mbështetje do të vijojë edhe për hapjen e negociatave të aderimit, si dhe vijimin e procesit të tyre. Gjithashtu, Nishani e siguroi Kryeministrin e Kroacisë se Shqipëria është e përkushtuar në rrugën e integrimit evropian, pasi e konsideron të vetmen alternativë për stabilitetin dhe zhvillimin e saj të qëndrueshëm.

“Eksperienca e Kroacisë është një shembull i vyer për Shqipërinë dhe ne dëshirojmë të mësojmë sa më shumë nga kjo eksperiencë dhe përballur sfidën e procesit të negocimit dhe aderimit në Bashkimin Evropian.” – u shpreh Kreu i Shtetit.

Nishani shprehu gjithashtu bindjen se, falë frymës euroatlantike, të dy vendet janë shumë të angazhuara dhe kontribuese për paqen dhe stabilitetin në rajon, duke theksuar se si dy vende anëtare të NATO-s, ato duhet të përbëjnë një model të shkëlqyer bashkëpunimi me të gjitha vendet e rajonit.

Duke u ndalur në mundësinë e bashkëpunimit ekonomik, Presidenti Nishani vlerësoi se ky bashkëpunim është ende larg pritshmërisë dhe theksoi se institucionet e të dy vendeve duhet të bëjnë më shumë për t’i nxitur e promovuar më shumë mundësitë dhe kapacitetet përkatëse.

Gjithashtu, Presidenti u shpreh i bindur se momenti i zhvillimit të rajonit, veçanërisht në sektorë të veçantë strategjikë, është një mundësi shumë e mirë për t’i kthyer potencialet e të dy vendeve në oportunitete bashkëpunimi, si në nivel dypalësh ashtu edhe rajonal.

“Prezenca e një përfaqësie të sipërmarrjes shqiptare në delegacionin tim, është një shenjë shumë e mirë e dëshirës dhe vullnetit të përbashkët për ta forcuar bashkëpunimin ekonomik e tregtar dhe harmonizuar atë me bashkëpunimin e shkëlqyer politik” – tha Nishani.

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd