Transmetuar më 09-05-2016, 22:59

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka vazhduar debatin në distancë me presidentin Bujar Nishani, pasi ky i fundit e kritikoi për parkun e lodrave tek Liqeni.

I ftuar në emisionin “Opinion”, qytetari i parë i Tiranës është pyetur për deklaratat e tij, ku e cilësoi Kreun e Shtetit “një njeri qesharak”.

“Së pari unë kam qenë i zemëruar me Presidentin që e ktheu Presidencë në një leckë për të fshirë një parti. Besoj që është fyese të hiqesh si ambiental që shkon në park me eskortë. Nuk mund të shkosh me eskortë në park. Kur Presidenti nuk pret familjarët e të vrarëve të 21 janarit, është me dy standarde. Presidenti doli aty dhe i bëri thirrje prokurorisë dhe gjykatës. Ndërkohë që sot kaloi Reforma në Drejtësi dhe nuk tha asnjë llaf. Nëse Presidenti sillet si drejtor komunale i Bashkiak….nëse është i pabesë, tamahqar…”, deklaroi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se Parku i Lojërave, i cili shkaktoi përplasje mes Bashkisë dhe shoqërisë civile, do të jetë gati për dy javë e gjysmë.

Sipas Veliaj, projekti është drejt fundit dhe pritet të hapet më 1 Qershor, duke e konsideruar këtë datë si “ditën e gjykimit të tij”.

Veliaj tha se do të ngrihet një park i sigurt për të gjithë fëmijët, ndërsa theksoi se këta të fundit kanë nevojë për ambiente në natyrë për t’u argëtuar dhe ky park do të ofrojë pikërisht këtë./f.g/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd