
Tiranë, NOA.al – Deri në mesditë nesër, i gjithë territori i vendit do të mbetet në ndikimin e kthjellimeve dhe vranësirave të lehta. Gjatë orëve të mesditës do të ketë shtim të vranësirave në zonat malore juglindore duke rrezikuar shira të izoluar.
Pjesa e dytë e ditës do të vijojë me alternime kthjellimesh dhe vranësirash në ultësirën perëndimore ndërsa me vranësira dhe shira të dobët e lokale do të paraqiten zonat malore lindore.
Sipas MeteoAlb, temperaturat e ajrit nuk do të pësojnë ndryshime duke ruajtur të njëjtat vlera të tyre konstante, por prania e lagështirës në ajër do të bëjë që i nxehti të ndjehet më shumë. Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare me shpejtësi 20 km/h nga drejtimi jugperëndimor duke bërë që në det të ketë dallgëzim 2 ballë.
Europa
Masat ajrore të ngrohta dhe të lagështa që vijnë nga Atlantiku do të kushtëzojnë mot me vranësira dhe shira të dendura për gadishullin Iberik sie dhe ishujt britanike, herë pas here do të ketë edhe stuhi të forta ere dhe rrufe. Po ashtu, kalimi i një sistemi frontal nga veriperëndimi drejt Evropës qëndrore do të bëjë që edhe këto vende të dominohen nga vranësira dhe shira intensive, kryesisht Franca dhe Austria.
Ndërsa, me kushte të qëndrueshme atmosferike do të paraqitet situata e motit për vendet mesdhetare, gadishullin e Ballkanit, Evropën veriore dhe atë Lindore ku moti i kthjellët dhe temperaturat e larta do të jenë dominante./b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





