Transmetuar më 09-05-2016, 10:20

Krim makabër në Greqi, pasi persona të panjohur kanë masakruar një djalë të ri shqiptar duke i prerë kokën, e cila nuk është gjetur ende nga autoritetet policore vendase.

Masakra u zbulua në stallën e një fermeri në Potamia, bashkia Suliu e Thesprotisë të rajonit të Igumenicës, paraditen e sotme (e Hënë), raporton noa.al.

Autoritetet thanë se kufoma e masakruar që u gjet ishte e një djali 25-vjeçar shqiptar, i cili ishte punësuar nga një fermer i zonës, dy muaj më parë. Burime që citohen nga portali grek News24/7, publikuan identitetin e të ndjerit, Bledar Tërpollari, 25 vjeç nga Korça.

Banorët e zonës treguan se e kishin njohur viktimën pasi ai kishte dy muaj që jetonte në atë zonë ku kishte shkuar për të punuar si emigrant. Ai ishte marrë në punë si çoban dhensh dhe jetonte e punonte në Gliki, fshati ku edhe u gjet i vdekur.

Më poshtë, noa.al ju sjell fotot nga vendi ku u gjet shqiptari pa kokë, pranë stanit ku punonte.

Fermeri tregon si e gjeti viktimën

Fermeri grek e kishte punësuar dy muaj më parë të riun shqiptar si çoban.

Natën duke gdhirë dita e hënë dhe sot herët në mëngjes, ai ishte përpjekur të lidhej me punëtorin e tij, por s’u bë e mundur. Atëherë fermeri grek, në orën 05.30 ka hyrë në stallë që të nxjerrë bagëtitë për kullotë.

Befas ka parë skenën e frikshme, trupin e çobanit të tij, pa kokë.

Eksperti mjekoligjor, Theodhoros Vujuglakis, tha se kemi të bëjmë me një vrasje të kryer nga profesionistë.

Hetimet

Policët që shkuan në vendngjarje thanë se konstatuan vetëm trupin e të ndjerit. Gazeta "Proto Thema", raportoi se megjithë kërkimet e kryera ende nuk është gjetur koka e të riut fatkeq.

Një grup hetimor i ngritur për krimin makabër, tha se është duke hetuar për të kaluarën e të riut shqiptar.

Një kontakt është vënë me autoritetet policore shqiptare, në përpjekje për të përshpejtuar zbardhjen e autorëve dhe shkaqeve të masakrës.

Hetuesit thanë se i ndjeri kishte disa tatuazhe të cilat i kishte bërë në burgje ku ai kishte qenë për periudha kohore për vepra të ndryshme penale. Dyshimet janë se ka vuajtur dënime për vjedhje në Shqipëri.

Gjatë dy muajve që ai jetoi në këtë zonë, kurrë n uk u afrua me asnjë nga 20 familjet shqiptare që jetojnë aty. Dhe as qëndroi ndonjëherë në kafenetë e zonës.

Pistat ku po përqendrohet policia greke janë hakmarrja dhe gjakmarrje e mundshme për shkak të “Kanunit”. Por edhe larja e hesapeve nga personazhe shqiptarë të mafias, është pistë kryesore e hetimit.

Hetuesit përjashtojnë që krimi të jetë kryer nga një person. Ata thonë se vrasja është planifikuar dhe është kryer përmes një plani të mirëmenduar.

I riu është ndjekur derisa ka hyrë për gjumë dhe është zënë duke fjetur në shtëpizën (kasollen) ku jetonte, jo larg stallës dhe është vrarë aty, duke iu prerë koka. Më tej është transportuar duke u hedhur brenda stallës ku edhe u gjet.

Autorët e kanë marrë kokën e të ndjerit me vete. Policia tha se nuk gjeti gjurmë gjaku në vendin ku u gjet viktima.

Mësohet se i riu ishte dëbuar nga autoritetet greke por kjo nuk e kishte penguar të rikthehej në Greqi. Disa herë që ai kishte punuar, ishte marrë me punë bujqësie dhe si çoban. /n.s/a.b/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd