Transmetuar më 08-05-2016, 17:27

Këngëtarja e mirënjohur Rovena Dilo, thotë se është gati që të presë nesër (e hënë) ora 10.00, dy individë që synojnë të ekzekutojnë një vendim gjykate që ajo e cilëson të paligjshëm, “për të marrë pronën e familjes Vreto me polici dhe lokalin "Bar Rovena", biznesin e saj të ligjshëm "De Fakto Vreto" shpk që e ka ngritur që në vitin 200 në pronën e familjes Vreto”.

Bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 887 metrash katrorë. Rovena Dilo pohon se ajo është pronë e familjes Vreto. Kurse lokali i ngritur aty, “Bar Rovena”, është pronë e “De Fakto Vreto” shpk që nga viti 2000, sikurse evidentohet edhe tek të dhënat e QKR (Qendra Kombëtare e Regjistrimit).

Fotot që shikoni, tregojnë pamjet sot të lokalit në qendër të ish-Bllokut, mbushur me foto dhe faksimile të dokumentacionit që Rovena Dilo disponon për truallin dhe biznesin e ngritur mbi të.

Që në hyrje të lokalit janë vendosur vendime gjykate, foto nga familja Vreto, certifikata të QKR që evidentojnë pronën e “De Fakto Vreto” shpk, etj.

Deputeti i Partisë Socialiste Tom Doshi dhe biznesmeni Ndriçim Babasi, ish deputet i PD dhe kryetar seksioni i PD në Njësinë nr 5 Tiranë (ish Blloku), pretendojnë pronësinë e truallit ku dhe ndodhet lokali i Rovena Dilos, pasi i është shitur nga një prej pronarëve, daja i Rovena Dilos.

“Daja im është një burrë i moshuar, i pamartuar dhe pa trashëgimtarë, dhe është një nga 8 fëmijët e gjyshit tim të ndjerë, Naim Vreto”, – pohon Rovena Dilo.

Por çfarë tentohet të bëhet të hënën? Rovena Dilo sqaron: “Me një vendim totalisht të paekzekutueshëm, ata duan të sjellin përmbarues, të cilët i përdorin si të duan dhe të cilët nuk kanë asnjë pavarësi juridike personale. Kanë një vendim për Rovena Dilon, të bijën e Silvit dhe të Vangjelit, pra për një qytetare, që të lirojë dhe të dorëzojë një diçka, të cilën ajo nuk e posedon. Këta zotërinj kanë bërë një gabim trashanik juridik në lidhje me mua, që quhet ndërgjyqësi e gabuar. Atje në truallin tim, të vëllait tim, të nënës sime, të tezeve të mia, të vajzës së tezes sime, që dje qante në telefon kur mendonte që pronën mund të na e marrin këta burra mizorë që s’njohin ligjet, ekziston aktiviteti i formës sh.p.k., “De Fakto Vreto”, si një person juridik me mëvetësi të patjetërsueshme”.Rovena pohon se ndjehet e tradhtuar nga sistemi gjyqësor: “Ndihem totalisht e tradhtuar deri tani, por askush nuk ma heq shpresën dhe besimin që ka edhe gjykatës të drejtë dhe të aftë, të cilët dinjiteti që iu fal edukimi juridik, nuk i lë të bien në kurthet e korrupsionit të ndyrë. Unë do të besoj te këta njerëz deri ditën e fundit dhe do të luftoj që çështjet e mia dhe të familjes sime të kenë fatin e së drejtës. Besoj dhe te Reforma në Drejtësi dhe te fundi i merituar i të gjithë atyre që shesin qytetarët për një grusht parash”. 

***

Zhvillimet që precipituan deri në një urdhër përmbarimor që mund të tentohet të ekzekutohet nesër, nisën kur dy politikanët iu drejtuan gjykatës së Tiranës me një padi civile, ku kërkonin detyrimin e të paditurës Rovena Dilo të lirojë dhe dorëzojë pronën (pasuri e paluajtshme). Prona është me nr. pasurie 3/534, e ndodhur në zonën kadastrale 8270, me sipërfaqe 887 m2 me adresë të pasurisë rruga “Vaso Pasha” pasuri e regjistruar në ZVRPP Tiranë në volumin 70 faqe 169, me adresë: Rr. “Vaso Pasha”, lloji: truall, Tiranë.

Këngëtarja akuzoi Babasin dhe Doshin se kanë zgjedhur sipas dëshirës së tyre gjykatësit dhe shkelin ligjin për interesat e tyre. Ajo e cilëson vendim të papranueshëm e të paligjshëm dhe thekson se “zotërinjtë e politikës duan të vjedhin pronën e familjes sime”.

Rovena Dilo sqaron edhe pozicionin e dajës në këtë histori: “Në pronën në fjalë dhe në të gjitha pronat e gjyshit tim, ai ka vetëm 1/8-tën. Atëherë, ç’po ndodh me këtë pronë? Nëpërmjet një akt dhurimi totalisht të pavlefshëm, ai pretendon të jetë i vetmi përfitues”.

Kjo çështje është në një proces gjyqësor themeli në Gjykatën e Shkallës së Parë të Rrethit të Tiranës. Rovena Dilo thotë se “nuk është hera e parë që ai është i paditur dhe çështja është fituar, një herë në 2004, atëherë kur familja për herë të parë zbuloi mashtrimin e tij dhe më vonë në 2007, ku ajo u pushua me kërkesën e tij përpara trupit gjykues, me premtimin përpara fëmijëve të tjerë se gjithçka do ta zgjidhte ai vetë me mirëkuptim”.

Duke iu referuar pronës ku ndodhet “Bar Rovena”, këngëtarja pohon se “kjo pronë është një pasuri familjare dhe si rrjedhim, është dhe pronë e nënës sime dhe për t’u shitur apo për t’u tjetërsuar duhen firmat e të 8 fëmijëve”.

“Me firmën e vetëm njërit prej trashëgimtarëve dhe me pronën në një proces gjyqësor themeli të hapur, vetëm këta lloj zotërinjsh mund të bëjnë gjoja blerjen e saj”, – shton zonja Dilo.

Daja i saj, pretendon se ua ka shitur pronën Ndriçim Babasit dhe Tom Doshit. Por ç’lidhje kanë këta zotërinj? Zonja Dilo tregon: “I pari që u afrua, ka qenë Ndriçim Babasi, i cili ka dashur ta ndërtojë këtë tokë. Nuk e ka realizuar dot në kohën kur në pushtet ishte partia në të cilën ai aderon, dhe kur në pushtet erdhi Partia Socialiste, ai u mundua t’i bashkëngjiste aferës një deputet të forcës aktuale në pushtet, për t’i pasur gjërat më të thjeshta, sipas logjikës së tyre të zhvatjes dhe të përfitimit. Ndriçim Babasi e di shumë mirë që kjo tokë është e familjes Vreto dhe ai, si bir i një familjeje me shumë fëmijë, e di shumë mirë dhe e ka shumë të qartë se pronat e familjes nuk janë të njërit, por janë të të gjithëve. Po kaq mirë këtë gjë e di edhe Tom Doshi, si një djalë malësie, se asnjë pronë nuk shitet me firmën e njërit prej trashëgimtarëve. E kanë shumë të qartë të dy ata që kjo është një përpjekje e kotë dhe e dështuar. Prona e nënës sime do të shitet apo do të tjetërsohet, kur nëna ime, tezet e mia dhe dajat e mi, do të hedhin firmën dhe do të vendosin për këtë gjë”, – sqaron Rovena Dilo.

Këngëtarja tregon dhe si lindi konflikti me dajën e saj. “Për 5 vjet me radhë, daja im përfitoi gjysmën absolute të fitimit, ndërkohë që duhet të merrte vetëm 1/8-tat e gjysmës. Në momentin që deshi ta kishte të gjithin për vete, aktivitetin dhe truallin, filluan kontradiktat. Ky ishte momenti kur ai u largua, por, ndërkohë, aktiviteti vazhdonte ecurinë e tij”. /a.b/noa.al/ 

Njoftimi i plotë për shtyp i dërguar nga Rovena Dilo

NJOFTIM PËR SHTYP

Të nderuar gazetare e gazetarë dhe drejtues të mediave

Ju falënderoj me mirënjohje për publikimin e letrës së hapur.

Ju informoj se sot kemi vendosur në të gjitha ambientet e lokalit, foto dhe faksimile të dokumentacionit që unë, Rovena Dilo dhe familja jonë Vreto, disponojmë për truallin dhe biznesin e ngritur mbi të. Bashkëngjitur këtij njoftimi për shtyp gjeni edhe disa foto dhe video.

“Unë jam gati, në të drejtën time ligjore dhe morale”

Unë jam gati që të pres nesër (e hënë) ora 10.00, këta individë që synojnë të ekzekutojnë një vendim gjykate të paligjshëm, për të marrë me forcë, me polici, e sidomos, në kundërshtim me ligjin dhe me manipulime gjyqësore, pronën e familjes Vreto dhe biznesin e ligjshëm "De Fakto Vreto" shpk që e kemi ngritur që në vitin 2000 në pronën e familjes Vreto.

Me një vendim totalisht të paekzekutueshëm, ata duan të sjellin përmbarues, të cilët i përdorin si të duan dhe të cilët nuk kanë asnjë pavarësi juridike personale. Kanë një vendim për Rovena Dilon, të bijën e Silvit dhe të Vangjelit, pra për një qytetare, që të lirojë dhe të dorëzojë një diçka, të cilën ajo nuk e posedon. Këta zotërinj kanë bërë një gabim trashanik juridik në lidhje me mua, që quhet ndërgjyqësi e gabuar. Atje në truallin tim, të vëllait tim, të nënës sime, të tezeve të mia, të vajzës së tezes sime, që dje qante në telefon kur mendonte që pronën mund të na e marrin këta burra mizorë që s’njohin ligjet, ekziston aktiviteti i formës sh.p.k., “De Fakto Vreto”, si një person juridik me mëvetësi të patjetërsueshme”

Këta zotërinj, kërkojnë që Rovena Dilo të lirojë dhe dorëzojë pronën. Kjo pronë është një pasuri familjare e familjes Vreto dhe si rrjedhim, është dhe pronë e nënës sime. Dhe për t’u shitur apo për t’u tjetërsuar duhen firmat e të 8 fëmijëve dhe kurrsesi e veç njërit prej tyre. Me firmën e vetëm njërit prej trashëgimtarëve dhe me pronën në një proces gjyqësor themeli të hapur, vetëm këta lloj zotërinjsh mund të bëjnë gjoja blerjen e saj. Ndriçim Babasi e di shumë mirë që kjo tokë është e familjes Vreto dhe ai, si bir i një familjeje me shumë fëmijë, e di shumë mirë dhe e ka shumë të qartë se pronat e familjes nuk janë të njërit, por janë të të gjithëve. Po kaq mirë këtë gjë e di edhe Tom Doshi, si një djalë malësie, se asnjë pronë nuk shitet me firmën e njërit prej trashëgimtarëve. E kanë shumë të qartë të dy ata që kjo është një përpjekje e kotë dhe e dështuar. Prona e nënës sime do të shitet apo do të tjetërsohet, kur nëna ime, tezet e mia dhe dajat e mi, do të hedhin firmën dhe do të vendosin për këtë gjë.

Nesër më datë 9 Maj 2016, në Ditën e Europës, ku ne aspirojmë prej kaq shumë vitesh që të bëhemi pjesë e plotë e saj, në orën 10:00, ju ftoj ju të nderuar gazetare dhe gazetarë dhe drejtues mediesh, që të vini të pijmë kafen e mëngjesit së bashku në lokalin tim. Ju pres!

Me respekt,

Rovena Dilo

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd