
Elvis Rroshi
Kryetari i bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, thotë se telashet e tij me policinë dhe drejtësinë gjermane kishin ardhur pasi sipas tij ishte kapur si emigrant i paligjshëm.
Z.Roshi reagoi sot pasdreke, pas shkrimeve të publikuara në media sot, pasi gazeta e Partisë Demokratike, “RD” i publikoi formularin e vetëdeklarimit për dekriminalizimin.
Kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi, thotë se si shumë shqiptarë, edhe atij i është dashur të emigrojë në vitet ’90, pasi ishin vite tejet të vështira nga ana ekonomike.
“Shumë prej nesh i janë drejtuar emigracionit për të patur mundësi më të mira për vete dhe për familjet tona. Por, sigurisht që të punoje me leje të ligjshme në vendet e Bashkimit Europian nuk ishte e lehtë, thuajse e pamundur. Historitë e shqiptarëve që arrinin të merrnin një vizë turistike vetëm e vetëm për të hyrë në Gjermani dhe Itali e më pas punonin ilegalisht jashtë afateve ligjore të vizës janë të panumërta”, – ndalet gjatë në shpjegimin e versionit të tij të procedimit penal në Gjermani.
“Unë jam ndaluar në Gjermani nga autoritetet vendase dhe më pas jam dëbuar nga Gjermania”, – pranon publikisht Rroshi, duke shtuar dhe arsyen sipas tij: “Kjo ka ndodhur pasi kam qenë emigrant pa letra”.
Rroshi në vetëdeklarimin për dekriminalizimin kishte shkruar se nuk i kujtohej pse ishte arrestuar dhe si dhe sa ishte dënuar nga gjykata.
“Kam shkruar në deklaratë se nuk më kujtohen detajet e çështjes pasi dua të jem i saktë në çdo përcaktim. Të gjitha detajet dhe procedurat e ndalimit dhe dëbimit tim janë duke u zbardhur nga avokatet e mi dhe do t’u vihen në dispozicion publikut dhe institucioneve shtetërore sa më parë të jetë e mundur”.
Rroshi përpiqet të sigurojë opinionin publik se ai është i pastër penalisht dhe njëkohësisht i druhet largimit nga posti dhe politika, për shkak se në vetëdeklarim nuk kishte treguar këtë që publikoi sot: “Një gjë është e sigurtë: Unë nuk jam subjekt i asnjë krimi që parashikon ligji i dekriminalizimit dhe nuk doja që Sali Berisha dhe partia e tij të kërkonin largimin tim nga politika për pasaktësi deklarimi”. /a.b/noa.al/
Kryebashkiaku i Kavajës: Më arrestuan në Gjermani, por s’më kujtohet pse
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





