


Policia Rrugore ka surprizuar disa qytetarë, mes tyre këmbësorë dhe drejtues automjetesh, kur është ekspozuar natën duke gdhirë dita e sotme në rrugët e kryeqytetit me makina dhe altoporlantë urdhërues.
Siç shikoni pamjet që ju sjell noa.al më poshtë, mundësuar nga zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Gentian Mullai, punonjësit e policisë rrugore kanë ndaluar qytetarë të ndryshëm, duke i orientuar me tabela elektronike të llojit “Më ndiq”, apo “Ndal policia”.
Ndërkohë, me megafon (altoparlant), polici i kërkon drejtuesve të automjeteve që të ndalen pasi janë konstatuar me thyerje të limit të shpejtësisë.
Në disa raste, janë bërë shoqërime në polici të të dyshuarve për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Mullai thotë se “Policia rrugore suprizon qytetarët por edhe drejtuesit e mjeteve që shkelin semaforin kur papritur ndodhen mes këtyre makinave të pajisura me logjistikën e nevojshme”.
Ai thekson se kemi të bëjmë me “ndryshim total në filozofi dhe logjistikë”.
Dragerat dhe radari për të evidentuar dhe ndëshkuar drejtuesit e automjeteve që drejtojnë mjetin në gjendje të dehur dhe ata që qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara në qendra të banuara, gjithashtu janë bërë pajisje të përhershme të policisë rrugore.
Mullai siguron se “çdo veprim i punonjësve të policisë dhe i drejtueseve të mjeteve është në fokusin e kamerave të trupit të policisë”, – kurse sqaron se “qëllimi i vetëm është rritja e parametrave të sigurisë”. /a.b/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





