Transmetuar më 07-05-2016, 13:05

Këngëtari i mirënjohur në të gjitha viset shqiptare Gëzim Nika, ka qenë mysafir i përzgjedhur në emisionin e Turjan Hyskës, ‘Oktapod’, në Vizion Plus.

Këngëtari me një karrierë rreth 33- vjeçare në muzikë, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është ndjerë komod, por edhe i emocionuar në rrëfimin e tij personal, duke mos hezituar edhe të ndajë me publikun, interpretime të këngëve të tij më të njohura, duke dëshmuar edhe një vokal të pacenuar me kalimin e viteve.

“Tek zëri jam si vera e kuqe”, ka qenë batuta e atij që njihet si “Bilbili i Tropojës”. Gëzim Nika ka ndarë për herë të parë edhe një rrëfim mbi këngën e “Jakup Ferrit”, duke deklaruar se ka qenë ai që e ka kënduar për herë të parë, e më pas e kanë marrë dhe përpunuar edhe grupe të tjera, mes të cilëve edhe “Djemtë e Detit”.

Për këngëtarin Nika, bashkëpunimet me Aurela Gacen kanë qenë dhe janë gjithnjë të suksesshme.

“Kur bashkohet një gegë dhe një toskë, një vlonjate dhe një tropojan, bëjnë gjëra të mëdha”, është shprehur duke qeshur Gëzim Nika.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd