




Durrës, 6 maj 2016, NOA.al – Kreu i kuvendit, Ilir Meta i pranishëm në aktivitetin e organizuar nga të rinjtë e LRI “Konventa e shkollave të mesme” ka vlerësuar si mjaft të rëndësishme energjinë pozitive që përcjellin të rinjtë e LRI dhe të rinjtë në përgjithësi në progresin e vendit përkundër energjisë negative që sipas tij të gjithë shqiptarët marrin nga politika e sotme dhe sidomos kuvendi.
Meta bëri me dije se LRI do të ketë një grup të vetin parlamentar brenda grupit parlamentit të LSI dhe u bëri thirrje të gjitha forcave të tjera politike të hapen realisht ndaj të rinjve, pasi sipas tij politika jo vetëm duhet të përfshijë sa më shumë të rinj, por duhet të jetë e të rinjve.
“Të rinjtë nuk lodhen duke iu bashkuar LRI dhe ndihen mirë të përfaqësuar, të përfshirë, aktivë në këtë forum të jashtëzakonshme ashtu sikundër për fat të keq shqiptarët janë lodhur nga energjitë negative që përcjell në të shumtën e herës politika shqiptare, por për fat të keq edhe Kuvendi i Shqipërisë që e drejtoj unë aktualisht. Ndaj kemi nevojë për një politike me energji pozitive, prandaj kemi nevojë për të rinj dhe të reja që sjellin këto energji pozitive në Kuvendin e Shqipërisë, në këshillat lokale dhe kudo në forumet vendimmarrëse. Ndaj besoj se LRI do të ketë një grup parlamentar brenda grupit parlamentar të LSI. Shpresoj se të gjitha forcat politike të hapen më sinqerisht ndaj të rinjve dhe të rejave sepse kemi nevojë të sjellim energji pozitive në politikën tone”, tha Meta
Lëvizja Rinore për Integrim ka prezantuar sot në Durrës konventën kombëtare të shkollave të mesme. Nxënës të shkollave të mesme nga gjithë vendi kanë paraqitur kërkesat e tyre për të ofruar sa më shumë mundësi për të rinjtë, në mënyrë që të ndihmojnë në formimin e tyre.
Nxënësit kanë kërkuar mundësi për të ofruar disa shërbime me tarifa të reduktuara për ta, si abone për nxënësit që përdorin transportin urban, bileta me çmime më të ulëta për në kinema, teatër, muze, etj.
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





