
Tiranë, 6 maj 2016, NOA.al – Ministrja e Integrimit Europian znj. Klajda Gjosha mori pjesë në forumin “Të rinjtë dhe Europa”, organizuar në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD), në Kryeministri në kuadër të Javës së Europës.
Gjatë fjalës së saj Ministrja Gjosha theksoi rëndësinë e reformës në drejtësi, si kusht për të vijuar më tej me procesin e integrimit të vendit në BE.
“Reforma në drejtësi mbetet çelësi për të hedhur këtë hap dhe un besoj se klasa politike shqiptare duhet të mendojë mbi të gjitha për ju kur bëhet fjalë për të kaluar sa më shpejt këtë reformë të rëndësishme e cila ka të bëjë së pari me besimin te një demokraci e konsoliduar, tek shteti i së drejtës”, – tha Gjosha
Më tej ministrja Gjosha, falenderoi të rinjtë të cilët pavarësisht vështirësive dhe sfidave, janë rikthyer në Shqipëri sepse duan ta shohin vendin e tyre më të zhvilluar dhe më pranë Europës.
“Nuk ka integrim më të mirë të një shoqërie sesa përmes një edukimi të mirë, formimi profesional. Në këtë mënyrë përgjegjësia e të gjithë politkbërësve bëhet edhe më e madhe, pasi kanë detyrimin që t’i kthejnë mbrapsht këtë besim të rinjve shqiptarë. Kanë detyrimin ti motivojnë ata, të angazhohen maksimalisht që përmes reformave të çojnë përpara vendin në mënyrë që tu ofrohen mundësi të reja këtij brezi. Sepse janë pikërisht të rinjtë e ardhmja e këtij vendi”, – u shpreh Gjosha.
Ministrja vlerësoi përfshirjen e të rinjve në procesin e integrimit dhe inkurajoi ata, për të qenë aktivë, produktivë dhe bashkëveprues në çdo hap që vendi hedh përpara.
“Të rinjtë shqiptarë janë ambasadorët më të mirë të vlerave të vendit. Sa më i madh kontributi juaj aq më shpejt Shqipëria do të jetë pjesë e Bashkimit Europian”,- tha Gjosha./b.l/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





