
Tiranë, 6 maj 2016, NOA.al- Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj thotë se kryedemokrati Lulzim Basha, shpif dhe gënjen.
Duke reaguar ndaj intervistës së Bashës në emisionin “Opinion”, ministri thotë se siç e ka bërë tashmë zakon në çdo dalje publike, ai gënjeu paturpësisht shqiptarët duke mohuar faktin që ministri i Shëndetësisë ka ngritur një padi të re për shpifje ndaj kreut të opozitës, “pas bishtnimit që ky i fundit i bëri, si përherë me ‘procedurë’, padisë së parë”.
Sipas Beqaj, si në çdo rast, edhe këtë herë, me daljet publike të PD-së dhe kryedemokratit Basha, e vërteta është krejt ndryshe.
Ndërkohë publikohet një kopje e padisë, që ministri Beqaj ka depozituar më 22 shkurt, ndaj drejtuesit të PD-së.
“Basha vijon t’ju provojë shqiptarëve, se jo vetëm që është në padijeni të plotë të realitetit të shëndetësisë në vend, por se vizioni i vetëm i vaj-medet i opozitës për shëndetësinë është përbaltja dhe gënjeshtra, përherë sipas parimit shpif, shpif, se diçka do të mbetet”, thuhet në qëndrimin e ministrisë së Shëndetësisë.
Në vijim deklarohet se as përpjekjet e mjeruara të Lulit, as shpifjet apo përbaltja e sejmenëve të tij, nuk do të mund të ndalin rrugën për reformimin rrënjësor dhe rilindjen nga mjerimi dhe katastrofa ku PD-ja e kishte katandisur shëndetësinë shqiptare.
“Qentë le të lehin, karvani do ecë përpara”, thuhet në mbyllje të reagimit./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





