
Tiranë, 6 maj 2016, NOA.al- Partia Demokratike thotë se një prej oligarkëve të Edi Ramës, që kap tendera në çdo institucion është deputeti i tij Sadri Abazi, me kompaninë alko-impex.
Sekretarja për marrëdhënien me publikun në PD, Greida Duma tha sot nga selia blu se dy ditë më parë u denoncua një rast se si Abazi mori 780 milionë lekë nga Bashkia Librazhd me ndërmjetësin Taulant Balla, të cilin e cilësoi si komisarin e kësaj zone, ndërkohë që të njëjtën pune ofertuesi i dytë do ta bënte me 250 milionë lekë më pak.
Sipas Dumës, korrupsioni i oligarkëve të Ramës ka prishur garën dhe konkurrencën.
Ajo tha se sikur të mos mjaftonte lidhja e ngushtë me kryeministrin, me shefin e përgjithshëm të tenderave, dhe lidhja me komisarët si Balla, oligarkët janë kujdesur të kapin dhe institucionet e prokurimit.
Duma deklaroi se faktet janë tronditëse dhe se tregojnë tentakulat e kësaj hajdutërie, të vjedhjes së parave të shqiptarëve, që janë shtrirë kudo.
“Kemi sot disa pyetje që kërkojnë përgjigje. A është sot një prej drejtuesve të kompanisë së Sadriut, funksionar i lartë i KPP, komisionit të prokurimeve publike? A ka lidhje përfaqësuesi ligjor i kompanisë së Sadriut, me një funksionare të lartë të KPP? Komisioni i Prokurimeve Publike, është zyra kryesore ku shqyrtohen ankesat që kanë subjektet kur shohin shkelje apo padrejtësi”, u shpreh Duma.
Në këtë linjë nënvizoi se nga njëra anë, Sadri Abazi kap çdo tender kudo ku futet, nga ana tjetër i mbyll gojën kujtdo që mund të ankohet pasi ka kapur edhe KPP-në.
Duka e cilësoi si korrupsionin e Edi Ramës, që po shton luksin e oligarkëve dhe klientelës së tij e që po varfëron çdo ditë qytetarët e vendit./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





