
Tiranë, 6 maj 2016, NOA.al- Kryeministri Edi Rama thotë se kalimi i marrjes së lejeve të ndërtimit online është një hap përpara që Shqipëria bën dhe që shkon në të njëjtin drejtim në vendet e tjera.
Ai deklaron se ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, Shqipëria ka një trashëgimi të rëndë në raport me bazën e të dhënave të pronës dhe territorit.
Duke folur sot në konferencën për lejet e ndërtimit online, ai bëri me dije se në vendin tonë janë zhvilluar afro 400 mijë ndërtime pa leje pas ’90-ës, të cilat i kanë zhvlerësuar plotësisht të gjitha strategjitë, planet, projeksionet e së ardhmes në letër dhe i kanë hedhur në lumë të gjitha paratë, milionat e harxhuara për strategji plane territori, pasi zhvillimi i territorit ka qenë shumë më i shpejtë se aktivizimi i planeve.
“Në se do të bënim një muze të planeve të këtyre 25 viteve dhe të Shqipërisë reale, do të shikonim dy botë pa asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Do të shikonim që përqindja e zbatueshmërisë së strategjive dhe planeve në letër, të të gjitha natyrave, për zhvillimeve në territor do të ishte afër zeros. Ne trashëguam një bazë fillestare për funksionimin dixhital, por ishte njësoj si një zonë ndërtimesh pa leje, ku çdo sistem në një agjenci apo tjetër nuk ndërvepronte me tjetrin. Krijimi i bazës së ndërveprimit ka qenë sfida jonë e parë. Tani është një sfidë që vazhdon, duke shtuar komponentët e kësaj baze”, u shpreh Rama.
Sipas tij, nëpërmjet aplikim online për lejet e ndërtimit përfitohet nga sistemi një përgjigje jo më vonë se 45 ditë, që e detyron administratën që të përgjigjet ose e vë para përgjegjësisë që të shpjegojë mospërgjigjen.
Për Kryeministrin, ky është një shembull se si modernizimi lufton korrupsioni dhe krijimi i një sistemi të besueshëm që e bën korrupsionin të pafuqishëm si alternativë për qytetarët.
Kreu i qeverisë tha se nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemet, por se janë sistemet që korruptojnë njerëzit dhe se nëse sistemet nuk janë të besueshme, është e kotë që të shpresohet se korrupsioni mund të zmbrapset.
Rama deklaroi se do vazhdojë beteja kundër ndërtimeve pa leje për të pastruar ato që pengojnë zhvillimin normal të territorit.
“Ne kemi nevojë të vrapojmë, Bashkimi Europian jo. Duhet të punojmë për të prodhuar më shumë për veten. Nuk është BE që na pengon që në të liberalizojmë marrëdhëniet tregtare. Nuk na pengon BE që të bëjmë të mundur që prodhuesit, eksportuesit, tregtarët e gjithë vendeve tona të mos kenë kufi dhe nevojë për aq palë dokumenta, autorizime, dhe vërtetime sa janë kufijtë që duhet të kalojnë”, deklaroi Kryeministri.
Ai bëri me dije se ka filluar një proces me Kosovën dhe janë parë të dy anët e medaljes, përfitime të ndjeshme, ku eksportet tona me Kosovën, falë disa hapave që janë ndërmarrë për të rrëzuar barrierat administrative dhe unifikuar proceduarat, janë rritur 238% në vitin 2015.
Rama tha se nëpërmjet një harte masash administrative dhe një sërë marrëveshjesh mes vendeve, mund të çelet një kapitull i ri në ekonominë kombëtare dhe respektivisht dhe rajonale.
Ai shprehu bindjen se nëse do arrihet të paraqitet në takimin e Parisit me një dokument të dakordësuar në nivel teknik, për të çelur një proces rrëzimi të barrierave doganore, do ketë impakt të menjëhershëm në ekonomi, tregti dhe gjithë proceset e ndërveprimit në nivelet e tjera.
“Mund të dakordësojmë shumë në nivelin politik, por mund të mbetemi në të njëjtën situatë të pandryshuar, nëse nuk krijojmë kushtet për bashkëpunim dhe dakordësim në nivelet e tjera, pra, nëse agjencitë dhe institucionet e tjera nuk funksionojnë me të njëjtin vullnet dhe nuk çelin rrugët e bllokuara nga burokracitë, ligjet, marrëveshjet e pamjaftueshme të të shkuarës”, deklaroi Kryeministri./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





