Transmetuar më 05-05-2016, 08:18

Ish-Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka folur për njohjen e tij me kandidatin republikan për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, duke thënë se ai është mik i tij.

Pacolli ka treguar se miliarderit nga New Yorku i ka anuluar takimin në momentet e fundit, jo vetëm një herë, por dy herë.

“Unë Trumpin e njoh që nga viti 1989, ende në kohën e ish-Bashkimit Sovjetik. Ai ka udhëtuar edhe jashtë, dhe jemi takuar në Moskë. Jemi shoqëruar, si miq. E respektoj”, ka thënë Pacolli në emisionin “Natën” me Fatmir Spahiun, shkruan Express.

Por, përkundër miqësisë me Trumpin, ai ka thënë se përkrah demokraten Hillary Clinton në një përballje të mundshme me të në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara në muajin nëntor.

‘Shqiptarët do ta respektojnë edhe Trumpin, nëse ai bëhet President i SHBA. Secili që fiton në SHBA, shqiptarët do ta respektojnë pa limite”, është shprehur ai.

Sipas Pacollit, edhe Trump do të ishte një President i mrekullueshëm.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd