Transmetuar më 04-05-2016, 14:23

Tiranë, 4 maj 2016, NOA.al – Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi në një deklaratë nga selia blu, ka denoncuar sërish sot për korrupsionin në shëndetësi, duke akuzuar Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin Ilir Beqaj se kanë urdhëruar vartësit që të mos bëjnë të ditur asnjë informacion.

“Sekretet e vjedhjeve në shëndetësi ruhen në kasafortën e korrupsionit! Kryeministri Rama dhe Ministri Beqaj, pasi ndanë 340 milionë euro me klientët e tyre në shëndetësi, kanë urdhëruar vartësit të bllokojnë çdo lloj informacioni. Këtu kam disa kërkesa për informacion të dërguara javët e fundit në Ministrinë e Shëndetësisë, QSUT, Fondin e Detyrueshëm të Sigurimeve Shëndetësore. Edhe pse afati prej 2 javësh, sipas ligjit “Për Statusin e Deputetit” ka kaluar, asnjë përgjigje nuk ka ardhur”, u shpreh Vokshi.

Deputetja Vokshi sqaron se i ka dërguar letër Ministrisë së Shëndetësisë, ku i kërkon informacion për aparaturat e trajtimit të sëmundjeve tumorale. Por, edhe pas dy javësh, deputetja Vokshi thotë se nuk ka marrë përgjigje.

“Me anë të kësaj shkrese, i jam drejtuar Ministrit dhe QSUT, në cilësinë e deputetes dhe Kryetares së Komisionit Parlamentar, ku kam kërkuar informacionin për aparaturat e trajtimit të sëmundjeve tumorale. Por Beqaj dhe Drejtoria e QSUT mban në sirtar kërkesën bashkë me informacionin.

Kjo shkresë është dërguar me datë 19 prill, ku kam kërkuar informacion në lidhje me mungesat e të gjitha barnave dhe kurave për të sëmurët më HIV/AIDS, si dhe pasojat që mund të kenë të prekurit nga kjo sëmundje. Në të dyja rastet, Drejtuesit e QSUT-së bllokojnë informacionin. Bllokada e informacionit vazhdon për të gjitha praktikat korruptive të firmosura nga ministri i tenderave dhe koncesioneve”, tha Vokshi.

Më tej ajo shprehet se, “Urdhri politik dhe korruptiv për të mbrojtur korrupsionin dhe Vilmën, sjell shkelje e paligjshmëri të reja. Ndërkohë që aferat qindra milionëshe në shëndetësi vazhdojnë, spitalet janë në krizë totale, mungojnë ilaçet dhe pajisjet bazike. Partia Demokratike i bën thirrje edhe një herë drejtuesve të këtyre institucioneve të sjellin informacionin e kërkuar, siç parashikon ligji”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd