
Fier, 4 maj 2016, NOA.al- Katër persona të shpallur në kërkim, janë vënë në pranga nga policia e Fierit.
Njëri prej tyre akuzohet për vrasje, ndërsa tre të tjerët për vepra më të lehta penale.
Gjatë ditës së djeshme u bë ndalimi i Florind Marinit, 26 vjeç, lindur dhe banues në Libofshë, Fier, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Prokuroria e Apelit Firence, Itali, për veprat penale “Vrasje me dashje në bashkëpunim”, “Heqje e paligjshme e lirisë” dhe “Vjedhje me dhunë”. Ndalimi i tij u bë me qëllim ekstradimi drejt Italisë.
Në vitin 2013, Marini së bashku me Besnik Metushin vodhën, torturuan dhe vranë ish-policin italian Ugo Canozzi 82 vjeç. Ky i fundit u gjet i pajetë, i lidhur këmbë e duar në shtrat, sy dhe gojë të mbyllur.
I ndaluari i dytë është Uliks Gjata, ndaj të cilit Gjykata e Fierit, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Mbajtje pa leje e armëve të zjarrit” dhe “Plagosje e rëndë nga pakujdesia”.
Gjithashtu u vu në pranga Elderin Shpërdheja, i cili ishte shpallur në kërkim pasi është dënuar nga Gjykata e Fierit me 8 muaj burgim për vjedhje. Ndërsa i ndaluari i fundit është D.K., i shpallur në kërkim për arsye se është dënuar me dy muaj burgim për vjedhje./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





