



Kosova është pranuar si anëtarja më e re e UEFA. Në një votim të bërë mesditën e sotme në Budapest të Hungarisë ku u mblodh kongresi i 40 i UEFA, me 28 vota pro, 24 kundër dhe dy të pavlefshme, Kosova u bë pjesëtarja më e re e Federatës Europiane të Futbollit.
Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri shprehu falenderime për pranimin e Kosovsës si anëtaren e 55 të UEFA, duke e cilësuar si moment historik.
Në fjalën e mbajtur në këtë mbledhje para votimit, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka tha se Kosova është realitet.
“Lojtarë të këtij vendi luajnë me ekipe kombëtare, atëherë pse do u hiqnim të drejtën e lojës? Nuk janë pjesë e federatës serbe, ndaj të hapim dritën jeshile, duke pasur parasysh lojtarët e rinj të këtij sporti të bukur në Kosovë. Pse duhet ta pranojmë si anëtar? Të gjithë federatat e tjera të sporteve në Kosovë janë pranuar, përjashtuar futbollin. Në Kosovë njerëzit e duan futbollin, ndoshta më shumë se në vende të tjera. Ne kemi lojtarë të Kosovës dhe mund të na largohen, por ajo çfarë është çështja është që të mendojmë për futbollin dhe jo në mënyrë politike”, u shpreh Duka.
Nga ana e tij kreu i Federatës serbe, Tomislav Karaxhiç kërkoi mospranimin e Kosovës në UEFA, pasi sipas tij politika është përzier në sport dhe se ai dëshiron të mbrohet futbolli nga politika.
“Jam kundër një federate që nuk i plotëson kushtet për pranim në UEFA. Duhet t’i themi jo politikës, jo ndasive, pasi politika është përzier në sport”, deklaroi Karaxhiç.
Gjibraltari ishte federata e fundit që u pranua në UEFA, pas votimit në Kongresin e Londrës në vitin 2013.
Urimet e politikës:
Edi Rama: “Kosova në UEFA! Urime vëllazerore dhe një Big Like gjithë atyre që punuan për këtë arritje kaq të rëndësishme. Forca Kosovë.”
Hashim Thaçi: “Kosova në UEFA! Lajmi më i mirë i mundshëm për tifozët e panumërt në Republikën tonë. Tash e tutje do të luajmë në kampionate ndërkombëtare – disa lojë do t’i fitojmë, disa do t’i humbim, por kurrë më s’do të na ndalin nga fusha e gjelbër. Urime Fadil Vokrrit dhe federatës, urime lojtarëve të kombëtares sonë, urime të gjithë qytetarëve”.
Lulzim Basha: “Lajmi i mirë dhe i gëzueshëm për çdo shqiptar: Federata e Futbollit e Kosovës anëtarësohet në UEFA! Urime Kosovë!”
Isa Mustafa: “Të dashur miq, ndihem shumë i lumtur dhe krenar që shteti ynë sapo arriti edhe një sukses kulminant historik.
Futbolli kosovar nga sot është anëtar i familjes evropiane të futbollit, UEFA-s. Shumë shpejt edhe i FIFA-s. Kosova po përjeton një periudhë të sukseseve të jashtëzakonshme.
Rezultatet kulminante, produkt i përkushtimit tonë dhe përkrahjes së miqve ndërkombëtar, do të vazhdojnë në ditët në vijim. Të ndihemi krenar me Atdheun tonë!”
Ilir Meta: “Sot është një ditë e shënuar për Kosovën, pasi anëtarësimi në UEFA është një sukses historik për futbollin kosovar. Gjithashtu, ky vendim shënon një progres të jashtëzakonshëm edhe në drejtimin të integrimit të mëtejshëm të Kosovës në organizmat më të rëndësishme ndërkombëtare. Urime më të përzemërta dhe të ngrohta Kosovës për këtë ditë historike!”, – tha Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta në mesazhin e tij.
Ditmir Bushati: “Një sukses më shumë se sportiv anëtarësimi i Kosovës në UEFA. Një mundësi e re për Kosovën për t’i dëshmuar Evropës magjinë e futbollit. Suksese Federatës së Futbollit të Kosovës drejt hapit të radhës, anëtarësimit në FIFA.”/a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





