
Për shqiptarët janë skena më se të zakonshme por për fqinjët tanë, italianët jo. Mediat italiane e kanë përshkruar si një skenë horror therjen e një deleje nga një shqiptar në komunën e Arquà Polesine, në provincën e Rovigos në Veneto.
Me detaje mediat përshkruajnë aktin e therjes së deles si një ngjarje tragjike dhe makabre. “Në fillim nuk ishte marrë vesh se çfarë po ndodhte mbrëmjen e 29 prillit në zonën rezidenciale.
Në fund mosbesimi është zëvendësuar nga realiteti: Po ndodhte therja e një deleje në ajër të hapur, ndërsa një tjetër ishte në pritje të të njëjtit fat. Praktika barbare është ndalur nga ndërhyrja e karabinierëve dhe të punonjësve të shërbimit shëndetësor”, shkruajnë mediat italiane.
Në telashe me drejtësinë janë dy shqiptarë të cilët mund të përballen edhe me një sanksion administrativ, rezidentë në këtë komunë por edhe italiani që i ka shitur 2 delet, njëra prej të cilave u ther me rastin e Pashkëve ortodokse.
Kanë qenë fqinjët që mbrëmjen e 29 prillit kanë dhënë alarmin për atë që po ndodhte në oborrin e shtëpisë së shqiptarit, pasi kanë dëgjuar blegërimat e çuditshme të deleve. Pas sinjalizimeve, në vend kanë shkuar karabinierët, por edhe shërbimi shëndetësor.
Për një prej kafshëve nuk mund të bëhej më asgjë, duke qenë se ishte therur, varur me kokën poshtë dhe po i nënshtrohej rrjepjes. Delja tjetër ishte lidhur aty pranë dhe shumë shpejt do e priste i njëjti fat, nëse nuk do të kishte qenë për ndërhyrjen e forcave të rendit dhe autoritetit shëndetësor që i dha fund kasapërisë.
Dy shqiptarët janë shoqëruar në stacionin e karabinierëve në rrugën Silvestri, për të shpjeguar sipas këndvështrimit të tyre therjen e kafshëve për Pashkët ortodokse. Gjithçka sipas personelit të shërbimit veterinar kishte ndodhur jashtë çdo autorizimi dhe në kundërshtim me çdo lloj norme higjieno-sanitare.
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





