Transmetuar më 02-05-2016, 13:10

Atëherë ishte vetëm 17 vjeç! Kishte nisur të punonte që në moshë të mitur, që të ndihmonte familjen, ndërsa gjendej në krah të të mëdhenjve në një kompani që merrej me punime gipsi. Ditën kur jeta e Fatbardhit do të merrte një rrjedhë të frikshme, nis pasdite, kur ai kishte mbërritur në shtëpi dhe po qëndronte me dy prindërit e tij. Afrohet një mjet policie dhe i kërkon djalit që ta shoqërojë për në komisariat. Fatbardhi ngrihet, por gjatë rrugës i pyet se përse e shoqëronin.

Policia që e kishte ndarë mendjen që ta çonte në komisariat i sajon dyshimin për një grabitje në Ardenicë. Duke menduar se ishte i pafajshëm, Fatbardhi shkon pas punonjësve të policisë dhe përfundon nën një akuzë të rëndë, atë të përdhunimit të një fëmijë, nën një torturë, sipas tij, çnjerëzore të ushtruar nga policia dhe nën një vendim gjykate brutal që s’merrte parasysh as falsifikimin e procesverbalit, që gjoja ishte firmosur prej tij.

Historia e Fatbardh Hoxhës, nga Ardenica e Lushnjës vjen nëpërmjet vetë të riut që sot është 23 vjeç. Ai tregon kalvarin e vuajtjeve dhe të familjes së tij në atë rrugëtim të mundimshëm dhe tejet paragjykues për një akt që i riu nuk e kishte kryer. Fati i tij ishte te dëshmia e fëmijës së dëmtuar, që shpëtoi nga akuza të riun duke mohuar atë që kishte pohuar policia, prokuroria dhe gjykata.

Rrëfimi

“Sapo kisha mbaruar punën si zakonisht. Ndodhesha në shtëpi duke pirë kafen e pasdites dhe biseduar me prindërit. Befas, dy makina të policisë më rrethojnë banesën dhe afrohen duke thërritur emrin tim. Pa më treguar asnjë mandat arresti, më thonë se duan të më marrin në pyetje për një vjedhje të ndodhur në manastir. Unë nuk e dija se ç’më priste, as përse isha akuzuar”. Kështu Fatbardh Hoxha në atë pasdite të 28 qershorit të vitit 2010, rreth orës 16:30, arrestohet në banesën e tij pa u vënë në dijeni për motivin e vërtetë të arrestimit. Më tej ai çohet në policinë e qytetit të Lushnjës, ku do të qëndronte në komisariat për rreth 48 orë.

Gjatë kohës në të cilën Hoxha ka qëndruar në paraburgim, rrëfen se ndaj tij është ushtruar një dhunë e vazhdueshme nga oficerët e policisë, të cilët në mënyrë konstante edhe në ditët në vijim janë treguar të pakursyer duke i lënë të riut shenja në trup, shenja të cilat i ka edhe sot që është bërë duke mbushur 24 vjeç. Rreth 3 ditë më vonë, pas paraburgimit të tij, bëhet gjyqi i parë në qytetin e Lushnjës.

Në vlerësimin e masës, i mituri lihet në arrest me burg pa afat.  “Gjyqi i bërë 72 orë pas arrestimit ishte momenti i vetëm në të cilin mora vesh përse më kishin arrestuar. Ndodhesha përballë gjyqtares gati i pafuqishëm për të mbajtur peshën e një krimi të pakryer dhe të një nofke të pamerituar, si “përdhunues”. I tregova gjyqtares shenjat që kisha në trup, si provë e vetme dhe reale e dhunës së ushtruar ndaj meje nga punonjësit e policisë, por nuk mjaftuan për të më dëgjuar fjalën dhe për t’u vetëmbrojtur.

Sipas gjykatës, unë kisha firmosur një dëshmi në të cilën vetëdeklarohesha fajtor për përdhunimin e të miturës, ndërkohë që nga dora ime nuk ka qenë nënshkruar asnjë fletë. Ka qenë njëri nga oficerët, i cili e ka firmosur dëshminë në emrin tim. Edhe pse në atë moment kur po bëhej vlerësimi i masës u vërtetua me anë të firmave të ballafaquara se dëshmia nuk ishte nënshkruar nga unë, kjo gjë nuk e pengoi gjykatën të më linte në burg pa afat.”

Në Vlorë

Menjëherë pas vendimit për burgim të pacaktuar, Fatbardh Hoxha do të ekstradohet në burgun e qytetit të Vlorës, ku dhe atje ai rrëfen se ka qenë nën ushtrimin e një dhune të vazhdueshme nga gardianët e burgut, të cilët kanë përdorur shkopinj gome për të lënduar ish-të akuzuarin për përdhunim të së miturës. “Kam kryer një dënim për rreth 81 ditë në burgun e Vlorës, ku prej andej marr më në fund edhe lirinë. Por, gjatë kohës së qëndrimit atje, sërish oficerët ushtruan dhunë ndaj meje, nga e cila unë vazhdoj të kem ende shenja në trup”.

Ajo çfarë kishte munguar prej kohës ka qenë edhe dëshmia e vajzës së mitur, e cila deri më sot nuk ishte paraqitur asnjëherë në sallën e gjyqit. “Sapo më pa, ajo konfirmoi menjëherë që nuk isha unë fajtori, ose “përdhunuesi” siç më quanin të gjithë, por, përpos kësaj mu desh të qëndroja edhe 2 javë të tjera në burg, megjithëse, edhe pas analizave mjekësore të kryera nga ekspertët, ishte vërtetuar pafajësia ime”.

Pafajësia/ Rrugëtimi nëpër gjykata i djalit të akuzuar gabimisht për përdhunim

Janë kryer rreth 13 gjyqe në gjykatën e Lushnjës dhe 7 të tjera në gjykatën e Apelit në Vlorë, nën harkun kohor të 84 ditëve, ku Fatbardh Hoxha endej qelive të burgut i akuzuar për një krim të pakryer. Ka qenë dëshmia e të 9-vjeçares, në qershor të 2010-ës, ajo që i ka dhënë më në fund Fatbardhit lirinë e merituar. Menjëherë pas daljes nga burgu dhe lirimit nga akuza për përdhunim, Fatbardhi largohet drejt shtetit grek, në të cilin kishte banuar edhe më parë, por kësaj here me motivin e fortë, i cili i rëndonte nga opinioni publik. Shumë njerëz e identifikonin si “përdhunuesi” e shumë të tjerë, dikur miq të tij, nuk i jepnin më as dorën.

Përplasja pas hekurave të burgut duket se la gjurmë negative edhe në marrëdhëniet shoqërore që djaloshi nga Ardenica kishte patur me miqtë e tij të mëparshëm. “U largova prej paragjykimit të fqinjëve. Dikur isha djali i mirë dhe punëtor i lagjes, po më pas fillova të identifikohesha me një nofka të llahtarshme. Nuk e përballoja dot. Dikush thoshte që për të dalë kisha paguar para, e të tjerë mendonin se e kisha kryer vërtetë atë përdhunim. Nuk do të arrija dot t’i bindja të gjithë të mendonin si unë. Por, mbi të gjitha nuk arrija dot më të gjeja një punë në zonë. Askush nuk merrte përsipër të punësonte në kompani një ish-të burgosur të akuzuar për përdhunim.”

Kërkesa për dëmshpërblim

Rreth 5 vite pas ngjarjes së tmerrshme në qytetin e Lushnjës, Fatbardh Hoxha dhe i ati i tij, Fitimi, enden dyerve të gjykatës administrative në Tiranë, duke kërkuar një dëmshpërblim moral në vlerë monetare, e cila sipas tyre iu është caktuar me të drejtë nga Gjykata e Lartë. “Më kanë caktuar një shumë prej 25-milionë lekësh dëmshpërblim moral, i cili me të drejtë na takon ta marrim. Kanë kaluar gati 5 vite dhe nuk kam ndër duar asnjë qindarkë të kësaj shume. Jam endur dyerve të gjykatës për të kërkuar të drejtën e djalit tim, po kudo më kanë përplasur në fytyrë mohimin e marrjes së parave, me justifikimin se ende nuk na ka dalë emri për dëmshpërblim. Unë nuk do i ndahem kësaj çështje derisa drejtësia të vihet në vend për emrin e tim biri”, rrëfen i ati i Fatbardhit i cili qëndron gjithnjë pas të birit në tentativën gati të pamundur për të çuar në vend imazhin e tij të rrënuar nga punonjësit e policisë.  Mirëpo Fitimi, Fatbardhi, dhe Artiana, bashkëshortja e Fitimit dhe nëna e Fatbardhit, nuk e kanë humbur ende shpresën se një ditë do ta fitojnë betejën e tyre ligjore!/Shekulli

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd