
Dy vëllezërit e arrestuar dje të akuzuar se para dy muajsh tentuan të grabisin një kambist, dyshohen edhe për grabitjen e 180 mijë eurove, disa ditë më parë para Sheratonit, në Tiranë.
Të dyshuarit janë Marian e Albert Gjonpalaj, 21 e 20 vjeç, të cilët u ndaluan pas hetimeve disa javore të oficerëve të Komisariatit nr.6.
Ngjarja për të cilën ata akuzohen ka ndodhur më datë 7 mars, në rrugën “Llazi Mihi”, në Kombinat, para një banke të nivelit të dytë. Kambisti 38-vjeçar, me iniciale E.A., sapo kishte tërhequr 10 milionë lekë të rinj në bankë dhe i kishte futur në makinën e tij tip “Ford”, kur është sulmuar nga dy të rinj me skafandra motori në kokë.
Autorët, tashmë të arrestuar, janë përleshur me të dëmtuarit dhe kanë tentuar t’i hapnin me forcë makinën për t’i marrë shumën e parave. Por kjo situatë, duke qenë se ka ndodhur vetëm pak metra larg bankës, është parë nga rojet e sigurisë, të cilët kanë nxituar t’i vijnë në ndihmë kambistit e njëkohësisht kanë lajmëruar Policinë.
Pa arritur të realizojnë grabitjen dhe nga frika se mos Policia mbërrinte në vendngjarje, autorët janë larguar, duke hipur në një motor që e kishin parkuar vetëm disa metra larg bankës. Policia mbërriti në vendngjarje, por pa mundur të ndalonte autorët. Ndërsa nisi menjëherë hetimet, që zgjatën disa muaj deri në identifikimin dhe arrestimin e tyre mëngjesin e djeshëm.
Përveç ngjarjes së ndodhur më 7 mars në Kombinat, Policia ka dyshime se dy të rinjtë mund të jenë përfshirë edhe në ngjarje të tjera kriminale.
Burimet thanë se ka dyshime, edhe pse të pambështetura në ndonjë provë konkrete, se ata mund të kenë marrë pjesë edhe në grabitjen e 180 mijë eurove, ngjarje e ndodhur disa ditë më parë para Sheratonit, në Tiranë, shkruan ‘Panorama’.
Dyshimet janë ngritur vetëm nga pamjet e kamerave të sigurisë, pasi dy të arrestuarit kanë karakteristika fizike të ngjashme me personat që morën pjesë në grabitjen e disa ditëve më parë. Megjithatë, deri tani ende nuk është konfirmuar që ata të kenë marrë pjesë apo të kenë lidhje me këtë ngjarje.
Mësohet se po hetohen edhe në lidhje me këtë ngjarje dhe oficerët e Policisë kanë nisur verifikimet për gjetjen e ndonjë prove të mundshme. Sulmi grabitës me kaska motori në Tiranë, kapen dy të dyshuarit Grabitja në Tiranë, policia del me deklaratë dhe tregon si ndodhi ngjarja Tiranë, maska i grabit biznesmenit 18 milionë lekë para "Sheraton"
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





