Transmetuar më 01-05-2016, 09:03

1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e punëtorëve. Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

Kjo ditë, ju referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës.

Kërkesa e parë publike është paraqitur në Australi gjatë vitit 1855: me këtë përmbajtje: ” 8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”.

Por pavarësisht simbolikës që mbartin disa data dhe ditë në kalendar, për shoqërinë shqiptare ato përkthehen në ditë pushimi ose feste. Nuk pritet ndryshe edhe këtë 1 Maj.

Asnjë tubim apo protestë për papunësinë, largimet politike nga puna, për më shumë të drejta dhe kushte më të mira pune. Dita e Punëtorëve në Shqipëri ka marrë ngjyrat e pushimit ose festes siç preferojnë ta cilësojnë vete qytetaret.

Që në orët e para të mëngjesit qindra kryeqytetas por dhe të ardhur dynden drejt kodrave të liqenit. Lojëra, piknik dhe çlodhje ne ambientet përreth parkut. Kjo është axhenda e ditës për të gjithe ata që këtë 1 Maj e kthejnë në feste dhe pushim total.

Në Evropë, 1 Maji filloi manifestimin me Internacionalen e parë të Gjenevës. Nga viti 1890 në Paris, Kongresi themelues i Internacionales së dytë, vendosi që pikërisht 1 Maji të mbetet dita ndërkombëtare e punëtorëve.

Nga viti 1891, Kongresi i tretë i Internacionales në Bruksel, mori Vendim, që: Dita e 1 Majit do të kremtohet përgjithmonë dhe në të gjitha vendet, si “festa e punëtorëve“, në të cilën punëtorët do ti identifikojnë, avancojnë dhe mbrojnë me Kushtetutë e Ligje; Liritë, të drejtat, kushtet e punës, rrogën mesatare të garantuar, pushimin ditor, javor, vjetor dhe pushimet tjera sipas nevojës.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd