



Lezhë, 22 prill 2016, NOA.al – Forcat speciale të RENEA-s kanë vrarë gjatë një përplasjeje me armë zjarri shtetasin e shumë kërkuar Petrit Dushi.
Operacioni për arrestimin e Dushit është zhvilluar në mesditë në fshatin Gziq të Lezhës.
Mësohet se i shumëkërkuari i është kundërpërgjigjur me armë zjarri thirrjes së policisë për t’u dorëzuar.
Petrit Dushi 45 vjeç, ishte i dënuar me 17 vjet për vrasje, 3 vjet për falsifikim dokumentesh dhe ishte ne gjykim për vrasjen e shtetasit Mark Jakut.
Petrit Dushi në 19 tetor të vitit 2013 dyshohet se ka vrarë për motive banale Mark Jakun. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Ungerej dhe prej asaj dite 45 vjeçari ka qënë në kërkim.
Dushi nuk është i dyshuar vetëm për vrasjen e 60 vjeçarit Jaku. Ai dyshohet se në vitin 2003 ka kryer një tjetër vrasje në Kaçinar të Mirditës, por edhe në atë kohë mundi t’i shpëtojë policisë.
Profil/ Kush është Petrit Dushi
Petrit Dushi, i ekzekutuar sot nga forcat e RENEA-s në Gziq të Lezhës, konsiderohej si një ndër 50 personat më të kërkuar të Interpolit ndërsa kishte kryer një prej krimeve më të rënda që mbante dhe mban mend zona e lindjes së tij.
Ai akuzohet se ka vrarë me thikë një bashkëfshatarin e tij ne ’96 dhe më pas kishte marrë arratinë, duke kryer vrasjen e dytë pas 17 vitesh të personit që e strehoi dhe e fshehu prej policisë. Viktima e dytë është Mark Jaku, kushëri me autorin.
Sherri mes tyre kishte nisur pasi i zoti i shtëpisë kishte nisur t’i kërkonte kushëririt të tij, Petrit Dushi, që të dilte nga banesa pasi i rrezikohej familja. “Nëse të gjen policia në banesën time, dënohem edhe unë. Kam frikë të të mbaj më gjatë”.
Kjo mësohet se kishte qenë një frazë e përsëritur shpesh në kohët e fundit nga Mark Jaku, por 45- vjeçari Petrit Dushi, nga fshati Kaçinar i Mirditës e kundërshtonte pasi i kishte ezauruar të gjitha vendqëndrimet e mundshme.
Nga Kaçinari i Mirditës, Dushi disa vite më parë kishte kryer një vrasje në zonën e tij. Vrasja është kryer me thikë dhe nga të dhënat e pakta që ka mbetur nga ajo ngjarje e rëndë kishte ndodhur për konflikt për çështje pronësie.
Viktima e tij ishte një bashkëfshatar dhe sipas të dhënave të policisë së Lezhës, Petrit Dushi e kishte qëlluar viktimën e tij ditën që kishte martuar të bijën. Ai shpallet në kërkim nga policia por pa mundur të binte në gjurmët e tij.
Gjykata e dënoi në mungesë me 20 vite burg, duke e klasifikuar si një prej personave më të rrezikshëm në vend. Por, Petrit Dushi humbet gjurmët dhe rishfaqet në 2015-ën me një tjetër vrasje. Policia e Lezhës tha vetëm se ai ka jetuar për shumë kohë nëpër malet e Mirditës dhe të Lezhës, nëpër njerëzit e tij.
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





