Transmetuar më 18-03-2016, 16:40

Ambasada franceze në Tiranë, i ka dërguar një letër autoriteteve më të larta shtetërore ku ngre alarmin për lirimin nga gjykata të Domart Konjarit, i njohur ndryshe edhe si një nga pjesëtarët e ish-bandës së “Rrugës Bardhyl” në Tiranë.

Në letër theksohet se Franca ka shpenzuar miliona euro për hetimin e Konjarit, ndërkohë që Shqipëria nuk ka respektuar Konventën Europiane për ndihmë të ndërsjellët gjyqësore në fushën penale.

Lirimi i Domart Konjarit nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka shkaktuar reagime të forta jo vetëm në Shqipëri por edhe në zyrat diplomatike. Në letër ngrihet shqetësimi kryesor për vendimin e Gjykatës së Apelit më 14 mars për heqjen e masës së arrestit me burg për Konjarin. Ambasadori Bernard Fitosussi e kundërshton lirimin e tij, pasi Konjari është i dënuar në Francë për vepra të rënda penale.

“Domart Konjari është dënuar në mungesë më 13 nëntor 2015, nga Gjykata e shkallës së parë e Rennes të Francës me 10 vjet burg, nga të cilat nuk mund të bëjë më pak se gjashtë vite burg, me ndalim të përhershëm në territorin francez, dhe me një gjobë prej 2,6 milionë eurosh.”- thuhet në letrën e ambasadorit Fitoussi.

Për të provuar këtë, ambasada franceze thekson se, pas arrestimit të Konjarit në nëntor të vitit të kaluar, në Shqipëri ka mbërritur një dokument prej 34 faqesh që janë produkt i një hetimi të imtësishëm të autoriteteve franceze që prej vitit 2011.

Ndër akuzat që rëndojnë mbi Konjarin dhe që përmenden në letrën e ambasadorit janë: import, mbajtje, transport, tregtim i drogës, krijim i një grupi kriminal, dhe pastrim parash nga trafiku i drogës.

Menjëherë pas kësaj letre ka reaguar ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.  “Kërkoj një ndjesë publike pavarësisht që nuk më takon mua në kuptimin ligjor, por sidoqoftë ndjesën duhet të tregojmë si shtet, si komb si shoqëri, të cilën kemi ende luksin të diskutojmë vlefshmërinë, juridiksionin apo legjitimitetin e gjykatave franceze, të cilat janë gjykata në kuptimin e besueshmërisë dhe funksionimit, gjykata me super standard. Do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë. Kam biseduar me Ministrin e Brendshëm, me autoritetet e Policisë së Shtetit, me Prokurorin e Përgjithshëm, për të gjetur të gjithë zgjidhjen e nevojshme që të vendoset në vend ajo gafë që unë besoj se ka ndodhur në kuptimin substancial në Gjykatën e Krimeve të Rënda  të Apelit. Sigurisht që Ministri i Drejtësisë i ka mundësitë ligjore të kufizuara, sepse procedimi disiplinor që mund të nisi  lidhet vetëm më çështje proceduriale. Pra Ministri mund të mos jetë dakort me thelbin e vendimit por nuk është autoriteti që e ndryshon. Patjetër që është detyra ime të inspektojë për çdo gjë. E kam thënë dhe kam vullnet të fort që të inspektoj çdo çëshjte e cila shfaqet si shqetësim në opinionin publik, ashtu siç shfaqet edhe si shqetësim i bashkëpunimit në qeveritë partnere. Ministri i Drejtësisë është autoritet ligjor ekskluziv që rregullon marrëdhëniet juridiksionale, merret me këtë marrëdhënie me qeveritë e vendeve të tjera”, theksohet në reagimin e Manjanit. /f.g/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd