
Tiranë, 9 mars 2016, NOA.al- Prokuroria për Krime të Rënda kërkon konfiskimin e një godine 5-katëshe me destinacion resort turistik në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë, në pronësi të shtetasit Shpëtim Brahimaj, por për të cilën ka dyshime të arsyeshme se është ndërtuar nga paratë e aktivitetit kriminal të të birit të tij, Isuf Kokaj (Brahimaj), i vrarë pas një atentati me minë të telekomanduar në fund të gushtit 2014.
Në vijim të hetimeve për atentatin ndaj tij, një ndër pistat e ngritura nga autoritetet hetimore ishin edhe përplasjet e mundshme për trafikun e lëndëve narkotike, pasi Isuf Brahimaj (Kokaj) ishte dënuar nga autoritetet italiane dhe hollandeze për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike.
Në një qëndrim të ditës së sotme, organi i akuzës thotë se në vijim të verifikimeve të kryera, u konstatua se familja Brahimaj, më konkretisht babai i viktimës, Shpëtim Brahimaj, kishte legalizuar në emër të tij një ndërtesë 5-katëshe të papërfunduar, e cila ishte destinuar për shërbime hotelerie.
Fillimisht, Prokuroria e Vlorës kreu veprimet proceduriale, nga ku u krijuan dyshime të arsyeshme se pronari i deklaruar nuk kishte mundësi financiare të realizonte shpenzimet për ndërtimin e hotelit, të cilat, sipas çmimeve referuese arrijnë në 100 milionë lekë të reja.
Në këtë vlerë nuk është llogaritur vlera e truallit, e cila sipas dokumentacionit të blerjes është shënuar 120 mijë euro, por që dyshohet se është blerë rreth 700 mijë euro. Edhe kontrata e blerjes së truallit është nënshkruar nga Shpëtim Brahimaj, pavarësisht se ai nuk ka pasur mundësi reale financiare të realizojë këto të ardhura.
Prokuroria e Vlorës kërkoi vendosjen e sekuestros preventive për objektin dhe truallin, e cila u pranua nga ana e Gjykatës së Vlorës. Më pas, çështja iu kalua për kompetencë Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila është përgjegjëse për zbatimin e ligjit të njohur si “Antimafia”.
Në vijim, Gjykata për Krime të Rënda caktoi sërish masën e sekuestros preventive, në bazë të kërkesës së Prokurorisë për Krime të Rënda.
Nga kjo prokurori u kryen veprime të tjera verifikuese, nga ku u krijuan dyshime të arsyeshme se shpenzimet për blerjen e truallit me sipërfaqe 2500 m2 dhe ndërtimin e godinës 5-katëshe me sipërfaqe 3090 m2 janë realizuar nga të ardhurat e aktivitetit kriminal të djemve të pronarit të deklaruar, konkretisht të shtetasit tashmë të vdekur, Isuf Kokaj Brahimaj dhe të Ermal Brahimaj.
Në bazë të informacionit të përftuar nga letër-porositë me autoritetet italiane, rezulton se Isuf dhe Ermal Brahimaj janë dënuar për vepra penale në fushën e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, si edhe janë hetuar edhe në disa raste të tjera po për këto lloj veprash penale.
Në bazë të hetimeve të kryera, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon konfiskimin e aseteve të mësipërme, pasi”
Së pari: Pasuritë janë përfituar pas përfshirjes së personave të hetuar Ermal Bajrami alias Bashkim Brahimaj dhe vëllai i tij, i ndjeri Isuf Koka alias Isuf Brahimaj në veprimtari kriminale, veprimtari kriminale që daton që në vitin 1994 për të ndjerin Isuf Brahimaj dhe në vitin 2004 për Ermal Bajramin.
Së dyti, këto pasuri nuk i përgjigjen nivelit të të ardhurave të të dyshuarve dhe familjarëve të tyre.
Së treti, pasuritë janë në zotërim të drejtpërdrejtë të personave të hetuar të cilët pavarësisht faktit se dokumentet i kanë regjistruar ne emër të babait të tyre Shpëtim Brahimaj, rezulton se objekti i ndërtuar është fryt i investimeve të djemve të tij Ermal Bajrami alias Bashkim Brahimaj dhe i ndjeri Isuf Koka alias Isuf Brahimaj..
Vrasja e Isuf Brahimaj
Ngjarja ka ndodhur në kryqëzimin pranë sheshit “Omonia”, në rrugën Transballkanike. Viktima Isuf Brahimaj, biznesmen 42 vjeçar, kishte ndërruar gjeneralitetet në Isuf Kokaj. Ai ishte pronar i një hoteli në Radhimë që pritej të inaugurohej pak ditë para vrasjes. Mësohet se dy vjet më parë, vëllai i 42 vjeçarit, i kishte shpëtuar një atentati nga i cili nuk pati dëmtime serioze.
Në ngjarjen e ndodhur në gusht të vitit 2014, mbeti e plagosur rëndë Ornela M., 19 vjeçe, e cila ishte pasagjerja që ndodhej në mjet bashkë me viktimën./a.y/noa.al Shpërthen makina në Vlorë, vritet biznesmeni dhe plagoset një vajzë
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





