Transmetuar më 26-02-2016, 19:50

Prishtinë, 26 shkurt 2016, NOA.al- Pas numërimit të votave në Kuvendin e Kosovës në raundin e tretë të votimit Hashim Thaçi ka mundur të sigurojë votat e nevojshme duke u zgjedhur në këtë mënyrë Presidenti i Republikës së Kosovës.

Në raundin e parë Thaçi ka marrë 50 vota nga 82 deputetët e pranishëm ndërsa kundërkandidati i tij dhe bashkëpartiaku Rafet Rama ka marrë 4 vota. Në raundin e dytë Thaçi ka avancuar pak më mirë me vota duke u votuar nga 64 deputetë ndërsa deputeti Rama ka marrë vetëm dy vota.

Pas zgjedhjes si President i vendit, Thaçi ka mbajtur një fjalim para deputetëve në Kuvend. Thaçi është zotuar se do të punojë për vendin, duke respektuar Kushtetën dhe ligjet e Kosovës.

“Ju falënderoj të nderuar ambasador për qëndrimin e deritanishëm me ne. Natyrisht, falënderojë PDK-në, LDK-në, Listën Srpska, 6+ dhe deputetët e pavarur. Ju siguroj që do të punojë gjithmonë në shërbim të vendit, në shërbim të gjithë qytetarëve, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, duke punuar për rend e ligj, duke iu shërbyer të gjithë qytetarëve pa dallime, për të ndërtuar Kosovën Europiane.

Dëshirojë edhe njëherë të falënderojë qytetarët e Kosovës që për një dekade më kanë besuar duke më votuar. Sot në këtë moment madhështor dëshiroj të përkujtoj heroizmin e komandantit legjendar, Adem Jashari dhe të gjithë dëshmoreve të lirisë”, tha Thaçi.

Thaçi nuk kalon as raundin e dytë për president, hiqen tendat e opozitës

Ka mbaruar numërimi i votave në sallën e kuvendit edhe për raundin e dytë për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Edhe në këtë raund Hashim Thaçi nuk ka mundur të sigurojë 80 votat e mundshme.

Hashim Thaçi ka mundur të sigurojë vetëm 64 vota në këtë raund të dytë duke mos i dhënë dot mundësinë për marrjen e postit të presidentit.

Ndërkohë policia e Kosovës ka filluar t’i tërheqi tendat që ka vendos opozita në shesh.

Aktualisht protestuesit janë shpërndarë në rrugë dytësore të ndryshme ndërsa, Policia ka krijuar kordone dhe ka bllokuar sheshet.

Për momentin i bllokuar është tërësisht sheshi “Adem Jashari”, sheshi “Ibrahim Rugova” dhe rruga Agim Ramadani.

Nis raundi i dytë i votimit për president, jashtë vazhdon përleshja

Në seancën e Kuvendit ka filluar procesi i votimit të raundit të dytë për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Në raundin e parë kandidati Hashim Thaçi ka marrë vetëm 50 vota, ndërsa për Rafet Ramën kanë votuar katër deputetë.

27 deputetë votën e tyre e kanë bërë të pavlefshme. Nëse as në këtë raund Thaçi nuk merr 80 vota ashtu siç parashihet me Kushtetutë, atëherë do të votohet për të tretën herë ku në këtë raund nevojiten votat e shumicës së thjeshtë të deputetëve që i bie që presidenti mund të zgjidhet me 61 vota të deputetëve. Seanca po mbahet pa deputetët e opozitës.

Ndërsa në ambientet e jashtme të Kuvendit policia e Kosovës vazhdon të përballet me protestuesit e dhunshëm rrugëve të kryeqytetit.

Ata po tentojnë të shpërndajnë protestuesit të cilët kanë përdorur shishe me koktej molotovi duke i hedhur në drejtim të institucioneve dhe të policisë.

Dështon raundi i parë për zgjedhjen e Thaçit President, opozita përleshet me policinë

Ka dështuar raundi i parë i zgjedhjes së Presidentit të Kosovës. Në sallën e Kuvendit ndodhen 82 deputetë të parlamentit, ndërsa shumë vota ishin pro Hashim Thaçit si president i Kosovës, ndërsa 27 ishin pavlefshme. Thaçi ka marrë vetëm 50 vota pro, ndërsa kanë votuar 81 deputetë.

Opozita e Kosovës dhe mbështetësit e saj kanë nisur përleshjen me forcat e policisë rreth godinës së parlamentit.

Protestuesit hodhën në drejtim të policisë bomba molotov, ndërsa kjo e fundit u përgjigj me gaz lotsjellës dhe automjetet me topat e ujit. Mediat kosovare thonë se në momentin e nisjes së përplasjes, mes mbështetësve të opozitës ka qenë edhe Albin Kurti, i cili ka bërë thirrje për zgjedhje të reja.

Përreth godinës së Kuvendit ka prani të madhe të forcave të sigurisë, që kanë ndërhyrë për të shpërndarë turmën e protestuesve.

Këta të fundit, nën presonin e gazit lotsjellës janë tërhequr drejt godinës së Komunës së Kosovës, ndërkohë që përleshjet vijojnë.

Nis votimi për zgjedhjen e presidentit, opozita proteston jashtë Kuvendit

Të gjithë deputetët e opozitës janë larguar nga salla e Kuvendit të Kosovës.  Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me praninë e vetëm një deputeti të opozitës, kanë filluar votimin për presidentin e ri të vendit.

Deputetët po japin votat e tyre, pasi deputetja e VV-së, Shqipe Pantina, dështoi të hedh gazin lotsjellës. Në komisionin e votimit, është edhe deputeti i Vetëvendosjes, Ilir Deda.

Ndërkohë pasi Kryesia e Kuvendit përjashtoi nga seanca shumicën e deputetëve të opozitës dhe i nxori me dhunë nga salla, disa nga ta i janë bashkuar protestuesve jashtë Kuvendit të Kosovës.

Përpara protestuesve, Albin Kurti, deputet i Vetëvendosjes, tha se deputetët e opozitës bënë atë që kishin mundësi për ta parandaluar zgjedhjen e Thaçit president të Kosovës.

Kurti tha se Thaçi po bëhet president me votat e Listës Serbe, pasi sipas tij, ai ka bërë një marrëveshje me ta. Lideri i opozitës tha se Thaçi president do të kundërshtohet edhe jashtë me protesta së bashku me qytetarët.

Përjashtohen 5 deputetë të tjerë

Kryesia e Kuvendit ka marr vendim që të largoj nga seanca e plenare edhe pesë deputetë të tjerë të opozitës. Vendimi është lëshuar për largimin e Albin Kurtit, Albulena Haxhiut, Visar Ymerit, Mytaher Haskuka dhe Salih Salihu, raporton lajmi.net, mirëpo fizikisht ata ende të gjithë po qëndrojnë në sallën e Kuvendit.

“Pas zhvillimeve të sotme në Kuvendin e Kosovës, në mbështetje të nenit 67.7 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të nenit 41, paragrafi 3, pika c. të Rregullores së Kuvendit, lidhur me sjelljen dhe veprimet e disa deputetëve të opozitës, në seancën plenare me 26 shkurt 2016, të cilët penguan zhvillimin e punimeve të seancës plenare, Kryesia e Kuvendit ka marrë vendim që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Visar Ymeri, Mytaher Haskuka, dhe Salih Salihu të largohen nga pjesëmarrja në seancën plenare me 26 shkurt 2016 për shkak se me sjelljet dhe veprimet e tyre e pamundësuan zhvillimin e punimeve të seancës plenare”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.

Gaz lotsjellës në Kuvend, ndërpritet seanca për zgjedhjen e presidentit

Kuvendi i Kosovës i mbledhur në seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit, mes kandidaturës së Hashim Thaçit dhe Rafet Ramës, nuk i ka shpëtuar incidenteve.

Përfaqësues të opozitës kanë hedhur gaz lotsjellës në Kuvend, duke pamundësuar vijimin e punimeve. Kjo bëri që seanca të ndërpritet, ndërsa qysh prej afro tre orësh përfaqësuesit e opozitës në Kuvend, mbanin fjalime duke apeluar mosvotimin e Thaçit si President, ndërsa jashtë përfaqësues opozitarë dhe qytetarë vijojnë protestën.

Dyshohet se gazin e kanë hedhur deputetët Teuta Haxhiu dhe Faton Topalli, pak para nisjes së procesit të votimit për zgjedhjen e kryetarit të Shtetit.

Punimet e Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit

Kuvendi i Kosovës po mban seancën e jashtëzakonshme parlamentare për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit, i cili do të ketë një mandat pesë vjeçar.

Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, informoi lidhur me rendin e ditës, duke thënë se të pranishëm në sallë janë 104 deputetë.

Ai bëri me dije se përballë Hashim Thaçit për President, kandidon Rafet Rama i cili ka qenë oficer në Trupat Mbrojtëse të Kosovës dhe këshilltar në Ministrinë e Punëve të Brendshme për dy mandate.

Në vijim u miratua komisioni për verifikimin e ligjshmërisë së dy kandidatëve.

Selvije Halimi, në emër të Komisionit Verifikues, paraqiti raportin para deputetëve për përmbushjen e kritereve të kandidatëve për president dhe deklaroi se ata i përmbushin kushtet.

Por zgjedhja e Presidentit po shoqërohet me protesta nga opozita. Për mbarëvajtjen e protestës dhe seancës së Kuvendit, janë marrë masa të rrepta nga policia, ku mbi godinën e Kuvendit ka efektivë me snajper.

Në sallën e seancave tashmë ndodhen ambasadori i Amerikës, Greg Delawie, përfaqësuesi i BE-së, Samuel Zhogar, ambasadori i Francës dhe ai i Turqisë.

Ndërkohë në ambientet e jashtme të Kuvendit, protestuesit që ishin duke protestuar në sheshin “Skënderbeu” janë zhvendosur në anën tjetër, në sheshin “Adem Jashari” ku është edhe hyrja e Kuvendit të Kosovës.

Ymeri: Vuçiç i ka dhënë bekimin Thaçit për President

Kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, deklaroi se opozita proteston kundër Thaçit si President, pasi ai synon postin e Kreut të Shtetit me bekimin e Aleksandër Vuçiç.

Ai deklaroi nga foltorja e Kuvendit se kushtet e Listës Serbe janë që Kosova të vazhdojë me themelimin e “Zajednicës” dhe vota pro Thaçit e deputetëve serbë do të thotë se ky u ka garantuar atyre themelimin e Asociacionit jokushtetues. Sipas tij ka një marrëveshje të re me Listën Serbe, që Thaçi e Mustafa janë zotuar të zbatojnë.

“Pra Thaçi nuk mund të bëhet President pa përkrahjen e Vuciç. Vuçiç i ka dhënë bekimin Thaçit për President. E kush të bëhet President? Ai që i fal toka Malit të Zi. Ky më thoni se është president i Republikës. Cilës republikë? Të Kosovës? Jo Presidenti nuk ka të drejtë ta cenoj rendin kushtetues të vendit e as të falç toka. Ky President edhe ndoshta do të bëhet, edhe pse larg qoftë, mirëpo President i Republikës së Kosovës nuk do të jetë kurrë”, u shpreh Ymeri.

Kadaj- Bujupi: A keni marre

Kryetarja e grupit parlamentar të Aleancës për Aardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj- Bujupi deklaroi se po befasohet prej kolegëve të saj deputetë që nuk kanë guxim të flasin e të kundërshtojnë të keqen që po i bëhet Kosovës.

“Desha me vet Isën se s’mund ta quaj Kryeministër pasi e ka shkelur Kushtetutën, a ka pas kaq shumë milicë në kohën e Rrahman Morinës, qysh ka sot shumë policë edhe Hashimit po i thanë a po të vjen marre”, tha Kadaj- Bujupi.

Limaj: Nëse sot votohet Presidenti, kriza bëhet më e thellë

Kreu i Nismës për Kosovës, Fatmir Limaj ka thënë se po të ishte Kosova në rrethana normale, sot do të ishte një seancë normale.

“Sot jemi në një situatë jonormale, në një situatë të vështirë, në një situatë krize të thellë politike. Shkaktari i të gjitha krizave që i kemi parë në parlament ka qenë qeveria. Parlamenti sot e ka një zgjidhje a do ta zgjidh krizën apo do ta thellojë krizën”, ka thënë Limaj.

Siaps tij, nëse sot votohet presidenti, kriza bëhet më e thellë, duke shtuar se Parlamenti sot mundet ta çojë vendin në zgjedhje.

Albin Kurti: Me Thaçin President, vendi kthehet në autokraci

Ish- kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Hashim Thaçi, tha në Kuvend, se biografia e shpërndarë për kandidatin për President, Hashim Thaçi është plot të pavërteta.

Ai mohoi të jetë Thaçi njeriu që ka shpallur pavarësinë, ndonëse ai vetëm e lexoi, duke shtuar “Atë e shpalli populli”.

“Janë tri devijime të mëdha që Kosova të bjerë e Thaçi të ngrihet. Çarmatosja e UÇK-së, braktisja e bashkimit kombëtar dhe kalimi nga orientimi i majtë tek neoliberalizimi, kompromise këto në dëm të Kosovës”, deklaroi Kurti.

Ai tha më tej se po u bë Thaçi President, do të ndryshojë Kushtetutën për ta kthyer vendin në autokraci.

“Nuk mund të jetojmë me ankthin e “Zajednicës”, prandaj ajo nuk mund të kalojë, pra as Thaçi president. Pasojat që po i vuajmë tani në Kosovë janë rezultat i keqqeverisjes”, u shpreh Kurti./a.y/noa.al/ 

Ndiqni seancën LIVE – Kurti: Nëse Thaçi i merr votat, ka bërë kompromisin e radhës me Vuçiç – Haradinaj: Mos e votoni Thaçin President, i bëni dëm Kosovës – Shtëpia e Thaçit zbukurohet me flamuj |FOTO – Deputetët kontroll të imtësishëm |FOTO – Prishtina “blindohet” me policë |FOTO – Zgjedhja e Presidentit, Jahjaga nuk merr pjesë 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd